Një ditë pas zjarrit që përfshiu zonën mes fshatrave Drizë dhe Peshtanit në bashkinë e Fierit, banorët po përballen me pasojat. Flakët lanë pas dëme në ullishte, vreshta, bazë ushqimore për bagëtitë, si dhe në mjete bujqësore.

“Neve na janë djegur dy bahçe me ullinj, nga 50 rrënjë, 25 janë bërë shkrumb. Dy dynymë e gjysmë vresht, të vjen keq ta shohësh. Edhe dëme nga shtëpia. Edhe shpendët, dëmtime janë”, thotë një banore.

Shumë banorë që jetojnë jashtë vendit janë kthyer pranë familjeve. Njëri prej tyre tregon se flakët kanë prekur banesën e tij, duke shkaktuar dëme në fasadë, kabllo elektrikë dhe tubacione.

“Më është dëmtuar shtëpia, duhet të vijë një inxhinier ta shohë se mund të bjerë”, thotë ai.

Ndërkohë, hetimet e policisë kanë çuar në arrestimin e autorit të zjarrvënies. 20-vjeçari Nikola Jaso, banues në Drizë dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e babait të tij për të djegur barishtet, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit.

Gjatë operacionit për përballimin e emergjencës, policia evakuoi të dielën 12 familje. Sot ka nisur evidentimi i dëmeve.

“Banorët kishin marrë masat paraprake për të pastruar oborret dhe avllitë duke bërë që zjarri të kalonte në shtigjet e ngushta, pa dëmtuar banesa apo jetë njerëzish”, tha përgjegjësi i Mbrojtjes Civile të Fierit, Kreshnik Ymeraj.

Kreu i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Fier konfirmoi për Report TV se zjarri përshkoi rreth 110 hektarë me shkurre dhe ullishte.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.