Policia ka shpallur në kërkim një 36-vjeçar, për zjarrin që ka rënë në kodrat e fshatit Livinë në Finiq ku u dogjën 3 banesa. Në kërkim është shpallur Mario Buzuka, i cili sipas policisë ka i vuri flakën tokës së tij, por më pas zjarri u përhap duke djegur tre banesat. Ndërkohë, vijon puna për fikjen e zjarrit.
“I vuri zjarrin tokës së tij, por ai u përhap duke përfshirë një sipërfaqe shumë të madhe dhe si pasojë u dogjën pjesërisht 3 banesa, dhe u rrezikuan disa të tjera, falë inteligjencës policore dhe veprimeve të shpejta në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim 36-vjeçarin. Më datë 11.09.2023, rreth orës 11:00, në fshatin Livinë, bashkia Finiq, në një sipërfaqje toke ka rënë zjarr. Zjarri, i favorizuar nga era, ka marrë përmasa duke djegur pjesërisht 3 banesa në fshatin Livinë. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendgjarje dhe krahas ndihmës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, kanë bërë evakuimin e banorëve dhe kanë vijuar veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë inteligjencës policore dhe veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit M. B., 36 vjeç, banues në fshatin Livinë, i cili pasi ka vënë zjarrin në tokën e tij dhe ka parë se zjarri i ka dalë jashtë kontrollit, është larguar menjëherë. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, shërbimet policore, zjarrfikësit, emergjencat civile dhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes po vijojnë intensivisht punën për shuarjen e zjarrit. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës”, njofton policia.
Lajmi kryesor: