Zjarri në Astir, 3 nga 4 makinat e djegura të Dritan Llanajt! Dalja në tarracë ishte e kyçur, shpërndau tymin nëpër banesa! Pista kryesore, problemet me pronat dhe certifikatat
Tre nga katër makinat e shkrumbuara nga zjarri i qëllimshëm në garazhin e pallatit në Astir ishin në pronësi të pronarit të pallatit Dritan Llanaj. Hetimet janë përqendruar tek problemet me pronat dhe certifikatat që vëllezërit Llanaj kanë pasur ndër vite. Ndërkohë në pallat akoma nuk është kthyer normaliteti pasi banorët nuk qëndrojnë dot prej erës së rëndë të blozës
Sokol Dema 22 Qershor 2022, 12:18 | Përditesimi: 22 Qershor 2022, 14:00
TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga zjarri i ndodhur në katin e nëndheshëm të pallatit në Astir, ku u dogjën katër automjete dhe u rrezikua jeta e dhjetëra banorëve, një pjesë e mirë e tyre nuk kanë qëndruar brenda, për shkak të aromës tepër të rëndë, e cila vazhdon të ndihet për shkak të zjarrit dhe tymit.
Ashensori tashmë është vënë nën funksion. Edhe uji është lidhur. Punëtorët po kujdesen të rikthejnë internetin dhe riparimin e rrjetit elektrik që është dëmtuar. Aparaturat që shpërndajnë internetin janë deformuar plotësisht nga nxehtësia.
Kjo është gjithçka ka mbetur në ambientet e brendshme të garazhit. Burime të zjarrfikëses i thanë Report Tv se për fat të mirë struktura e pallatit nuk është dëmtuar për shkak të flakëve. Banorët mund t’i rikthehen normalitetit shumë shpejt, të paktën pas pastrimit të ajrit dhe blozës në apartamente.
Por tmerri i kaluar gjatë orëve të natës së 21 qershorit mund të ishte evituar. I gjithë tymi që dilte nga garazhi nuk qarkulloi dot normalisht, pasi kapaku i ajrosjes, i cili shërben për të kaluar në tarracë në katin më të lartë të pallatit ishte i mbyllur .
Report Tv ka mësuar se jo vetëm Range Rover që ishte objekt i sulmit ishte në pronësi të Dritan Llanajt. Edhe dy makina të tjera nga katër të djegura në total ishin në pronësi të ndërtuesit. Policia konfirmon se hetimi është përqendruar në problematikat me pronat dhe certifikatat që familja Llanaj ka pasur në vitet e fundit me qytetarë të ndryshëm. Por banorët e pallatit nuk janë në dijeni të problematikave të pronarëve.
‘Kam qenë zgjuar, kur ka ndodhur shpërthimi. Banesën e kemi të dëmtuar, aty edhe perimet dhe zarzavatet janë dëmtuar. Ne kemi respekt për pronarin.’- tha një banor.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë rreth e përqark pallatit, ndërsa po verifikohen të gjitha filmimet për të parë lëvizjet e dyshimta të autorëve, për të shkuar drejt identifikimit dhe gjurmimit të tyre. Si pasojë e zjarrit tetë banorë u asfiksuan, ndërsa lanë spitalin.