Eksperti i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror (PPNEA), Aleksandër Trajçe, ka qenë sot në fshatin Gojan i Madh të Pukës, ku zjarri është përhapur në zonat e banuara dhe ka djegur disa banesa.

Në një lidhje live me gazetarin Nertil Agalliu për Report Tv, Trajçe tha se nga ajo që kishte parë me sytë e tij, situata mund të përshkruhej si apokaliptike.

Për ekspertin Trajçe, angazhimi vetëm i një helikopteri për shuarjen e flakëve nuk është i mjaftueshëm. Kjo pasi sipas ekspertit, zjarri veç banesave po rrezikon edhe një shkollë të fshatit dhe shtyllat e tensionit.

“Situata vazhdon të jetë shumë e rënduar. Nëse mund ta shihni, zjarri vazhdon të jetë shumë i madh. Zjarri i është afruar shumë banesave mbi fshatin Gojan i Madh. Nëse shihni këtu është edhe shkolla e fshatit e cila ndodhet shumë afër dhe rrezikohen edhe shtyllat e tensionit të lartë që janë mbi fshat. Situatën mund ta përshkruaj si apokaliptike. Për momentin është vetëm një zjarrfikëse që shkon e vjen. Është një helikopter, por nuk është e mjaftueshme. Duhet të angazhohen më tepër forca për ta vënë nën kontroll”, tha mes të tjerash Trajçe.

Më tej eksperti Trajçe tha se zjarri në malin e Tërbunit ka sjellë dëme të shumta edhe për biodiversitetin. Ai tregoi se shumë kafshë të egra po largohen me shpejtësi nga zona dhe se rrezikon të shuhet plotësisht një masiv pyjor prej 30 mijë hektarësh.

“Zjarri në Malin e Tërbunit ka sjellë dëme për biodiversitetin. Unë isha në një pjesë të pyllit dhe pashë edhe kafshë të egra që po largoheshin nga tmerri i zjarrit. Isha shumë pranë. Një nga videot që publikova ishte pikërisht në atë moment. Situata është shumë alarmante për pyjet. Rrezikon të zhduket një masiv pyjor i cili është mbrojtur prej dekadash. Por situata është shumë e rrezikshme, sepse po digjen shtëpitë e banorëve. Kemi parë lepuj të egër dhe derra të egër që po i largoheshin zjarrit. Janë disa vatra zjarri të përhapura thuajse në të gjithë masivin e bjeshkëve të Tërbunit dhe të Kuzhnenit. Është një masiv jashtëzakonisht i madh. Flasim për 30 mijë hektarë masiv malor, që është nën pushtetin e flakëve”, shtoi eksperti Trajçe.


Lajmi kryesor:

Beteja me flakët/ ‘Lëvizni, të gjithë jashtë’, evakuime në Gojan të Pukës, digjen 4 banesa! Largohen banorët nga shtëpitë në Tenë të Mirditës (VIDEO)