Qendra tregtare Metropol në Lushnje është ende e mbyllur, rreth 2 javë pas zjarrit që dyshohet se ra aksidentalisht nga një shkëndijë elektrike në një prej dyqaneve. Ekspertiza ende nuk ka nxjerrë shkakun zyrtar, ndërsa tregtarët ende janë në ethet e dëmshpërblimit të mallit, shumica e të cilëve e kishin të pasiguruar.
Nga ky janar, pas udhëzimit të dhënë nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, në të gjithë vendin ka nisur inspektim në çdo objekt për të parë nëse kanë apo jo masa mbrojtëse nga zjarri.
“Dua të ndaj me ju faktin se dy ditë me parë kam udhëzuar fillimin e një inspektimi në nivel kombëtar të respektimit të rregullave të mbrojtjes kundër zjarrit dhe të shpëtimit. Inspektimin në të gjitha godinat me fluks dhe intensitet frekuence publike të madhe. Pra ju përmendët qendrën tregtare dhe mësimet e nxjerra nga ajo qendër tregtare na vlejnë tanimë për të parë se si respektohen të gjitha rregullat e mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit në të gjitha këto ndërtesa dhe jo vetëm, por edhe ne banesa e kudo në mënyrë që të vlerësojmë të gjitha kapacitetet parandaluese e mbrojtëse që ka çdo godinë” tha Balla gjatë vizitës së tij në Fier ku takoi 6 kryetarët bashkive të qarkut.
Balla tha se 11 automjete do t’i shtohen këtë vit flotës së automjeteve zjarrfikëse, prej të cilave dy mjete të reja do jepen për Bashkitë Fier dhe Lushnje.
“Synojmë që gjatë këtij viti vetëm nga bashkëpunimi me partnerët të shtojmë rreth 11 makina zjarrfikëse në të gjithë territorin, në mënyrë që të fillojmë përgatitjet që kanë të bëjnë me verën e këtij viti. Mos harroni asnjëherë që vera e zgjatur e vitit të kaluar kishte efektin e vet pozitiv sa i përket zgjatjes së ditëve me diell dhe të turizmit, por na vuri para një situate të vështirë sa i përket numrit të zjarreve. Dhe këtu vlen të kujtoj si gjithmonë apelin tim ndaj gjithë qytetarëve që të tregohen shumë më të vëmendshëm sa i përket shkaqeve që shkaktojnë zjarre. Sepse dhe një cigare e hedhur në mënyrë të shkujdesur mund të shkaktojë një situatë katastrofike, apo zjarr i cili dëmton pronat, por të ve në rrezik dhe jetën”- u shpreh ministri.
Ky kryekriminel e din se Kush dhe åse e ndezi në Lushnje
Përgjigju