Shkëndija elektrike ka qenë shkaku i zjarrit që ra dje në kapanonin ku prodhohen pjesë për mjete ujore, ngjarje tragjike ku humbi jetën një 25-vjeçar nga Bangladeshi, ndërsa një 30-vjeçar nga Kenia u transportua në gjendje të rëndë në spital.
Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se janë zhvilluar hetime të thelluara për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në pyetje janë marrë të gjithë shtetasit e huaj që ishin të strehuar dhe punonin në kapanon. Sipas policisë, në momentin e shpërthimit të zjarrit të gjithë punonjësit kanë qenë në gjumë. Rezulton se një bombol gazi ndodhej pranë një prize elektrike, ku një shkëndijë ka shkaktuar zjarrin pasi bombola kishte rrjedhje dhe më pas flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientin.
25-vjeçari që humbi jetën mësohet se është zgjuar i fundit, ndërkohë që kolegët e tij po përpiqeshin të fiknin flakët dhe të dilnin nga kapanoni.
Komente









