Prej më shumë se 24 orësh vijon të jetë aktiv zjarri në zonën e Myselimit dhe në kodrat e Bardhajve, në Shkodër. Flakët po përhapen në një sipërfaqe pyjore me pisha, ndërsa era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve.
Në Bardhaj, ku një vatër e zbritur nga kodra është afruar pranë zonës së banuar. Zef Dushi, banor i zonës, tregon se pranë banesës së tij janë djegur ullinj dhe mjete bujqësore, ndërsa apelon për ndihmë nga institucionet.
“Unë kam shkuar të marr gruan rreth orës 11. Kur vijmë, shohim zjarrfikësen. Kur erdhëm te ura, pamë tymin. Tha gruaja ‘te shtëpia jonë more!’ përhapet me sekonda, ka bërë dëm kolosal, më ka djegur ullinjtë, veglat”, thotë ai.
Një tjetër banor kërkon vijimin e ndërhyrjes nga ajri, duke paralajmëruar se, pa mbështetjen e helikopterit, situata mund të përkeqësohet.
“Është gjithë ky vend, duhet ndërhyrje. Njerëzit s’kanë ç’bëjnë. Erdhi helikopteri e fiku, por ka vazhduar tërë natën. E rrezikshme se i djeg tërë malet, bardhanjorët ndodhen mbrapa malit, kanë shtëpitë”, shprehet banori.
Në terren janë angazhuar forca të shumta tokësore ndërsa vijon edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.
Forcat operacionale janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, izolimin e vatrave aktive dhe frenimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Ndërkohë, shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.
Lajmi kryesor:
Zjarret/ Në Fier angazhohen 1 avion dhe 1 helikopter! Ndërhyrje nga ajri për vatrat në Bardhaj të Shkodrës, flakët pranë banesave










