Një javë pasi flakët e zjarrit shkrumbuan apartamentet e 37 familjeve në kompleksin Arlis, Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh sot jashtë radhe dhe miratoi dhënien e bonusit të qirasë për familjet e prekura. Mbledhja u shoqërua me 'përplasje' mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan shpjegime më të hollësishme mbi shkaqet e rënies së zjarrit, përgjegjësit e incidentit, mënyrën si do të financohen dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe pse sipas tyre 'zjarrëfikësit ishin të papajisur me të gjitha masat mbrojtëse' gjatë shuarjes së flakëve.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i mazhorancës, Endri Braimllari, ka akuzuar këshilltarët e opozitës se po konsumojnë politikën e ditës, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Ilda Zhulali: Nuk bëjëm dot pyetje, çfarë ka ndodhur, përse po i japim paratë. Para se të ketë një proces hetimor, që do bëjë punë e vet. Këshilli bashkiak do sillet si këshill, nuk zëvendësojmë prokurorinë. Ne kemi për detyrë të flasim të paktën atë që ke dëgjuar në media, për problemet e fasadave.

Endrit Braimllari: Ne kemi për detyrë të mos konsum politik, por të marrim vendime në shërbim të qytetit, vendimmarrja jonë në shërbim të banorëve është emergjente.

Ilda Zhulali: Doni ta trajtoni si fondacion bamirësie, që thjesht të japim ca lekë. Kemi të drejtë të kërkojmë llogari ku flenë këta njerëz. Nuk është vetëm kjo godinë, po flasim për të njëjtë godinë ku ka qytetarë të tjerë që ndihen të rreizkuar.

Endrit Braimllari: Falënderoni zjarrfiëksit që shmangën një tragjedi.

Ilda Zhulali: Duhet ti kërkosh Bashkisë, pse ata zjarrfiëksit si kishin të gjitha pajisjest. Kush e ka bërë certifikimin?

Endrit Braimllari: Po konsumoni politikën e ditës.

Ilda Zhulali: Kompania Arlis Ndërtim ka marrë leje për të ndërtuar atë pallat. Po?

Anuela Ristani: Po.

Ilda Zhulali: Ky pallat është kolauduar apo jo?

Anuela Ristani: Jo.

Ilda Zhulali: Ndërkohë banorët janë futur brenda. Fasada e këtij pallati u dogj në 2021, ndërkohë që nuk ishte kolauduar.

Report Tv ka siguruar projekt-vendimin që u miratua në Këshillin Bashkiak të mërkurën, i cili parashikon një dëmshpërblim prej 40 mijë lekësh në muaj për çdo familje, kompensim i cili do të jetë në fuqi deri në rikthimin e tyre në banesat e rikonstruktuara. 

Siç parashikohet në dokument efektet financiare do të përballohen nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë në programin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Mbrojtjes Civile. Për të përfituar bonusin e qirasë familjet duhet të vërtetojnë që nuk kanë një banesë tjetër në pronësi brenda Bashkisë së Tiranës.

Ekspertiza ende nuk ka arritur të identifikojë shkaqet e zjarrit në Kompleksin Arlis, në rrugën e Dibrës, zonë e njohur ndryshe si Farmacia 10, ndërsa shpejtësia me të cilën flakët përfshinë fasadën e pallatit dyshohet të ketë ndodhur për shkak të materialeve me cilësi të dobët dhe jo kundër zjarrit.

Pas ngjarjes kryeministri Edi Rama garantoi familjarët se ndërtuesi do të marrë përsipër të gjitha dëmet duke rikonstruktuar të gjitha dëmet e shkaktuara nga zjarri, ndërsa Bashkia Tiranë pas inventarizimit premtoi se do të dëmshpërblejë banorët edhe për vlerën e mobilimit të apartamenteve, pasi siç mund të shihet nga pamjet, zjarri nuk la pas asgjë.

Zjarri nisi fillimisht nga një grumbull kartonësh në hyrjen e një supermarketi, ndërsa flakët të favorizuara edhe nga era e fortë u përhapën me shpejtësi në të gjithë fasadën e godinës vetëm në pak minuta.

DOKUMENTET QË DUHEN PLOTËSUAR PËR PËRFITIMIN E BONUSIT TË QIRASË:
- Dokument identifikimi i aplikuesit dhe dokumentacion që vërteton të drejtën e pronësisë mbi objektin e dëmtuar;
- Certifikatë familjare;
- Deklaratë për vërtetësinë e të dhënave, sipas aneksit nr. 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
Vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nga i cili rezulton se anëtarët madhorë nuk zotërojnë banesë tjetër në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku ka ndodhur fatkeqësia.
Përjashtimisht nga ky kriter janë individët/familjet që kanë më shumë se një pronësi në godinën objekt të këtij vendimi;
- Vërtetim për llogarinë bankare.
 
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:18
Zjarri te ‘Arlis’ në Tiranë, Ristani siguron qytetarët: Nëse kompania falimenton para rindërtimit të pallatit, ndërhyn Bashkia

Bashkia e Tiranës ka një plan rezervë në rast se kompania e ndërtimit “Arlis” falimenton, përpara se të rindërtojë nga fillimi pallatin në rrugën e Dibrës në kryeqytet, që u përfshi nga flakët pak ditë më parë, duke lënë disa familje pa strehim.

E pyetur nga një këshilltar në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak se çfarë do të ndodhë nëse kompania falimenton përpara mbarimit të punimeve, kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani siguroi qytetarët se në rast se diçka e tillë ndodh, Bashkia ka një politikë për të ndërhyrë për kompensimin e dëmeve strukturore deri në 50%, si dhe pjesës së brendshme të banesave të djegura deri në 100%.

“Nuk kemi një marrëdhënie kontraktuale me kompaninë, që unë mund të them sa shpejt apo si. Kemi një rregull apo një politikë me të cilën funksionojmë, që në rast të falimentimit të kompanive, ne kompensojmë 50% të dëmeve strukturore dhe pastaj 100% të pjesës së brendshme, të banesës, të pajisjeve dhe kështu me radhë”, përfundoi Ristani.

Ditën e sotme këshilli bashkiak, mori vendimin për të subvencionuar me ndihmë financiare banorët e pallatit, duke i mbështetur ata me një shumë monetare prej 40 mijë lekësh në muaj. Sipas projektvendimit, ndihma financiare do të monitorohet çdo muaj dhe do të ndërpritet në momentin që familjet sistemohen përfundimisht në banesat e rikonstruktuara.

Ora 18:19
Kompensim 50 lekë/litër karburanti për transportin publik, Këshilli Bashkiak i Tiranës jep pëlqimin! Vendimi kalon në Qeveri

Ditën e sotme në Këshillin Bashkiak të Tiranës, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, u dha pëlqimi për projektvendimin e Qeverisë për kompensimin e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, si pjesë e paketës ‘Anti-Krizë’, pas rritjes së çmimit të naftës si pasojë e luftës në Iran. Pas rritjes së çmimit të naftës, operatorët e transportit publik paralajmëruan kufizim të 'flotës' së urbanëve, ç'ka vuri në lëvizje institucionet.

Projektvendimi i Qeverisë synon kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse në masën 50 lekë për litër karburanti, për një periudhë tre mujore, mars, prill, maj 2026.

Kompensimi do të bëhet për shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

Pas dhënies së pëlqimit në Këshillin bashkiak të Tiranës, vendimi do të kalojë në qeveri, ku do të marrë 'vulën' përfundimtare.

Ora 18:12
Alimehmeti: Bashkia duhet të ketë plan B nëse ndërtuesi i ‘Arlis’ nuk rehabiliton dëmet nga zjarri! Çmimi i naftës në vend rritet nga një grusht njerëzish, s’ka krizë

Këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit që të përcaktoheshin shkaqet dhe të jepej zgjidhje për fasadat e pallateve në kryeqytet, pas zjarrit të rënë në kompleksin Arlis.

Lidhur me bonusin prej 40 mijë lekësh të qirasë për familjet e prekura, Alimehmeti tha se nuk mund të trajtoheshin të gjithë të prekurit njësoj. Ai kërkoi që të bëhej një pasqyrim i qartë i gjendjes së familjeve të prekura dhe më pas të jepej ndihma për ta.

“Duke qenë se ky rast u bë tejet mediatik, kuptuam sesi me një flakë tejet të vogël mund të digjet një pallat. Copy Caty ekziston si fenomen. Dhe për këtë duhet një veprim i shpejtë. Dhe megjithëse kjo ishte për një fatkeqësi si ky tip, unë prisja që të mblidhej Komisioni i Këshillit Bashkiak për emergjencat civile. Tani unë nuk di kë vendim të votojmë, këtë me afat apo atë pa afat.

Në këtë aspekt nevojitet një plan. Ne e dhamë propozimin. Ne shkojmë me parimin që do e rikonstruktojë ky zotëria. Ka marrë një plan tjetër bashkia nëse ky nuk e bën? Nëse falimenton? Dhe e dyta, është vendosur një shifër 40 mijë lekë për këdo. Është një ndihmë, ndërkohë që aty nuk është bërë një listë sa banorë janë, a kanë fëmijë, a janë të vjetër, a kanë nevoja të veçanta, a janë të sëmurë. Nuk mund t’i trajtojmë të gjithë njësoj, s’kanë të gjithë të njëjtat halle”, tha mes të tjerash Alimehmeti.

Më tej Alimehmeti, duke folur për projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kompensimin me 50 lekë për litër nafte të kompanive të transportit urban, tha se në Shqipëri nuk ka krizë nafte.

Sipas Alimehmetit, çmimi i naftës sot në bursat ndërkombëtare është më i ulët se në vitin 2012. Ai shtoi se rritja e çmimit të naftës në Shqipëri bëhet nga një dorë njerëzish për përfitime personale.

“Përsa i përket subvencionimit të naftës, të jemi të qartë, sepse përdoret shpesh kjo jo kriza, jo lufta. Sot çmimi i naftës në bursë, sepse në bursë e blejmë ne jo në Hormuz, është më i ulët sesa ishte në në vitin 2012. Sot është 101, ka qenë 120 në 2012. Pra është një dorë njerëzish që ka rritur disa çmime”, vijoi më tej Alimehmeti.

Ora 17:13
Kompensimi i familjeve të prekura nga zjarri te ‘Arlis’ dhe i kompanive të transportit urban, Ristani në mbledhjen e Këshillit: Bashkia dhe Qeveria, të gatshme për të ofruar ndihmë

Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës për zjarrin te Kompleksi ‘Arlis’ dhe vështirësitë me të cilat po hasen kompanitë e transportit, pas rritjes së çmimit të naftës me nisjen e luftës në Iran.

Gjatë fjalës së saj në mbledhje, Ristani tha se bonusi i qirasë për familjet e prekura nga zjarri te kompleksi ‘Arlis’ do të jepet deri në rehabilitimin e godinës.

“Zjarri i përmasave të mëdha te Kompania Arlis, dhjetëra familje mbeten pa banesë, me dëme të shumta materiale, për fat të mirë, vetëm dëme materiale. Ka pasur të gjitha ndërhyrjet e mundshme të të gjithë aktorëve, nuk dua të them vetëm zjarrëfikësit, që kanë pasur angazhimin e tyre. Në këto raste jeta është më e rëndësishmja dhe kjo është arritur me sukses. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm në administratë. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm këtu në administratë, duke konfirmuar që e kishim bazën ligjore për të dhënë një kontribut për strehim të këtyre banorëve, në këtë periudhë të ndërmjetme kur ata kanë mbetur të pastrehë, deri në momentin e rehabilitimit të banesave të tyre”, tha mes të tjerash Ristani.

Ndërsa teksa foli për vështirësitë që po hasen kompanitë e transportit urban me rritjen e çmimit të naftës, Ristani i kërkoi këshilltarëve bashkiakë që të japin pëlqimin për projektvendimin e Këshillit të Ministrave, për kompensimin e këtyre kompanive me 50 lekë të reja për litër, gjatë kësaj periudhe të vështirë.

“Së dyti është situata energjitike globale me rritjen e çmimit të karburantit, që ka ndikuar shumë thellë në qëndrueshmërinë e operimit të operatorëve të transportit publik. Bashkia operon me transportin publik përmes kontratave të të tretëve. Nuk ka flotën e vetë. Të gjitha shpenzimet operative, janë rritur në përmasa të mëdha. Ndikimi i çmimit të naftës ka ndikim të dukshëm dhe mbijetese në sektorin e transportit. Kjo situatë ka rritur kostot. Projekvendimi i Këshillit të Ministrave parashikon komensimin e këtyre kompanive me 50 lekë për litër nafte. Dhënia e pëlqimit për këtë nismë është e rëndësishme për të siguruar që shërbimet e transportit publik të mbështeten dhe të mos ndikohen negativisht nga faktorë të jashtëm ekonomikë”, tha mes të tjerash Ristani.

R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • gërdeci: 22/04/2026 17:54

    Hodhën në erë një zonë të tërë,vranë 26 njerëz të pa fajshëm dhe nuk kanë dhënë llogari tani thonë pse ra zjarri që ska lidhje fare me qeverinë..... Është fatkeqësi kur ke një opozitë NON GRATA...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 23 Prill, 09:22

    A besoni se do të zgjidhen çështjet e mbartura Shqipëri-Greqi?