Një pallat i kompleksit "Arlis" te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë u përfshi nga flakët pasditen e sotme, duke shkaktuar lëndimin dhe shtrimin në spital të 11 personave.
Një incident i ngjashëm, edhe pse në përmasa më të vogla ishte regjistruar në vitin 2021, kur gjatë punimeve në godinë mori flakë fasada e ventiluar.
Ky tip fasade, i ndërtuar me materiale si poliuretani në formë shkume, konsiderohet me rrezik të lartë për përhapjen e zjarrit.
Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe më herët në një pallat në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, ku po ashtu fasada e ventiluar u bë burim i përhapjes së flakëve.
Në rastin e këtij objekti që po digjet, i ndërtuar nga kompania ARLIS CONSTRUCTION në Rrugën 5 Maji, Njësia Administrative nr. 4, gjatë aplikimit të fasadës së ventiluar, për shkak të uljes së kostove të ndërtimit, në vend të përdorimit të leshit të gurit, material që përdoret për fasada dhe është antizjarr, pra nuk digjet, është përdorur shkumë mbushëse PU Foam. Ky material ka funksion mbushës, është shumë më i lirë dhe është i djegshëm, me bazë materiale metili dhe nënprodukte nafte. Për këtë arsye, fasada ka marrë flakë dhe zjarri është përhapur shumë shpejt.
Kompleksi Arlis ka qenë i pajisur fillimisht me leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë për godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie me lartësi 2, 8, 9, 10 dhe 12 kate mbi tokë, si dhe me 2 kate parkim nëntokë.
Në vitin 2021, subjekti ndërtues ka kryer vetëdeklarim pranë Kadastrës (ASHK) për sipërfaqe shtesë të realizuara në kundërshtim me lejen e ndërtimit. Në vijim, subjekti “Arlis Ndertim” është pajisur me Vendim për Leje Legalizimi dhe më pas me Certifikatë Pronësie për të gjithë objektin, po nga nga zyra ASHK Tirana Veri.
Komente











