'Zogu është i pari'

'Zogu është i pari'

E megjithatë Zogu është i pari! Në tokën e shqiptarëve krenarë, që marëdhënien me veten dhe historinë e mbajnë, e ndajnë dhe e çajnë me pallë në dorë, Zogu nuk mund të jetë kurrë i dyti. I treti jo e jo! Zogu është maja e hierarkisë. Eshtë kulmi i ëndrrës dhe maja më e lartë. Eshtë porti më i qetë dhe adresa më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Erdhi dhe iku tërmeti, ka ardhur dhe nuk ikën tensioni politik në vend, djegia e mandateve të opozitës është ende debat i hapur për një hesap tashmë të mbyllur, vazhdon sherri mes Ramës që është tek pullë dhe gjithë shqiptarëve të tjerë që janë të bindur se së paku mund të qeverisin shumë më mirë se ai dhe po kështu, lavjerësi që luhatet nga të qenit patriot i madh në tradhëtar të poshtër, vazhdon të tundet në këto dy skaje, si dy kokët e shqiponjës së lëvizshme të flamurit; pra, ndërkohë që ndodhin gjithë këto thagma normale shqiptare, Zogu i shqiptarëve vazhdon të çmendë gjithë dynjanë autoktone shqiptare e më gjerë.

Zogun e gjen kudo! Tashmë kushdo e di se ku ishte Zogu në aq korrik. Sa orë ndenji Zogu në hotel në aq gusht? Me kë hipi në makinë Zogu në kaq shtator? Si e tregoi Zogu atë që bëri me modelin filan? Sa u pagua Zogu për ta bërë kavajas laçianin në sy të një vajze me shumë halle, por me të brendshme të kuqe. Cila ishte këngëtarja që e mbante në makinë? Si e bëri dhe me sa vetë e bëri një police në hotelin në rrugën dytësore Tiranë – Durrës, ku shkuan më pas dhe në çfarë makinash hipën mbasi i kishin zbritur Zogut dhe zogjve të hareshëm plot pesë burra. Dhe më me rëndësi nga të gjitha, tani të gjithë në Tiranë e dinë se çfarë opinioni kishte Zogu kur filania i tha se duhej të depilohej se ishte bërë skandal dhe se me l..sht kaçurrel, sipas Zogut, nuk dukej mirë.

Të gjithë këto informacione me interes të thellë publik, janë tashmë të zyrtarizuara. Ato janë frut i qindra orëve përgjimesh të kryer me kujdes të posaçëm ligjor. Me kërkesë të prokurorisë. Me vendim të gjykatës. Me grupe speciale të policisë që bënin raporte shërbimi pikërisht për këto gjëra. Siç e kërkon në gërmë dhe frymë ligji.

Një ushtri tjetër që paguhet mirë dhe që i ka sytë tek Reforma në drejtësi, gjithashtu, ka bërë zbardhjen e përgjimeve të pafundme të bisedave që Zogu bënte me gjithë dynjanë. Falë punës së paepur të tyre, sot të gjithë e dinë sa lekë i duheshin Zogut për kremra trupi, sa euro kërkonte në ditë për të jetuar me klas meqë nuk ishte si bq-të e tjerë. Bashkë me këto, me rradhë e gjithë nëntoka e errët e një qënieje njerëzore që tashmë po bën xhiron e mediave, po nginj kureshtjen e të ngeshmëve, po tremb zogjtë e tjerë, por rikthen dhe njëherë si përherë bindjen se shqiptari aktual dhe palla historike e tij, janë një simbiozë klasike. Sidomos kur mendon me pallën që i çan historisë trupin tej e tej.

Nuk mbaron këtu sepse këtu ka filluar në fakt drama e jashtëzakonshme. Si në një film me regji të përkryer dhe skenar të jashtëzakonshëm, dalin papritur edhe lidhjet me politikën dhe seriali shqiptar sipas bakllavasë turke, zbulohen petët e tjera. Dalin në dritën e diellit falë përgjimeve të datës 30 qershor se Zogu shiti apo la në tentativë shitjen e votës. Për 15-16 euro. Dhe këtu hyn në lojë një parti politike, më e madhja e opozitës e cila kërkon një hetim serioz për gjithë procesin e zgjedhjeve. Brohoret me të madhe se fakti që ishte brenda doli jashtë nga përgjimet që shkatërruan një organizatë e strukturuar kriminale me në krye Zogun e Tiranës.

Çfarë marrëzie. Çfarë talljeje e pashpirt e të gjithëve që janë përfshirë në këtë histori. E grupit të prokurorëve, policisë, oficerëve të policisë gjyqësore e gjithë atyre strukturave që paskan zbuluar vezën për herë të parë. Ose kanë zbuluar bashkë me vezën, vendin se nga ka dalë ajo.

Nëse e kanë kaq seriozisht, le të shohin jo më shumë se instagramin e bukurosheve që janari i gjen me të mbathura majë Karaibeve, që shkurti i sheh me reçipeta në Dubai dhe në janarin tjetër, vazhdojnë të jenë sërish në Seijshel a diku rrotull të njëjtit destinacion, por ja ndarë shpirtin Karaibeve të bekuara. Mbas tyre do të gjejnë tipa seriozë që kanë vend në shoqëri e madje edhe ndonjë gjykatës a prokuror nga ata që e kanë ngrënë apo presin ta hanë nga Vetting-u. Do të gjejnë politikanë dhe gjithë shtresat përkatëse të shoqërisë shqiptare që ja mban xhepi të mbajnë dashnore me lekë. Por çfarë po ndodh është hipokrizi e një sistemi të shpifur e budalla që nuk ishte në gjendje për vite të zbardhte CD-të me përgjime të dosjeve 334 dhe 184 sepse e la me vetëdije që një gjë të tillë ta bënte mish për topat e politikës.

Gjithë çfarë po ndodh e ka ndodhur, bashkë me këtë rendje për të gjetur seks të ndaluar e seks të paguar, është një marrëzi ekstreme që nuk ka më pak vlerë sesa mënyra sesi Zogu kërkon bukë në shtëpi, çfarë mendon tani në qeli apo se çfarë do të bëjë nesër. Ndoshta kjo historia e Zogut, me gjithë absurdin dhe ekstremin e saj qesharak, mund të shërbejë për ndonjë gjë. Ndoshta vlen të kuptohet se duhet lejuar çfarë nuk e ndalon dot. Sepse nëse në mes të halleve të përbindshme që ka shoqëria shqiptare, kurvëria vazhdon të quhet hall penal si në komuniziëm, atëherë në djall të gjitha. Së paku këtë gjë u dha si leksion nga Zogu i shqiptarëve. Të cilët, me apo pa Vetting-un e prokurorisë e gjykatës, janë të bindiur se Zogu vlen gjithëmonë të jetë i pari!

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë