Nga Flora Nikolla & Dhurata Hamzai
Shtëpia e librit Ombra GVG, e themeluar në vitin 1998 nga bashkëshortët Vasilika dhe Gëzim Tafa, është një ndër emrat e njohur në botimet shqiptare. Presidentja e Ombra GVG, Vasilika Tafa, beson se hapi i parë i suksesit me një shtëpi botuese ka qenë dashuria që ka për librin. Vasilika Tafa rrëfen se të drejtosh një shtëpi libri dhe të ruash dinjitetin e logos botuese, është një sfidë që kërkon strategji e përgjegjësi të veçanta.
Vasilika ndihet me fat në punën e saj drejtuese, sepse bashkëshorti i saj, Gëzim Tafa, një piktor i talentuar dhe studiues i njohur, i ka dhënë mbështetje me ide dhe diskutime të frytshme. Ky fill bashkëpunimi nuk ndërpritet asnjë çast në shtëpinë botuese Ombra GVG. Ata janë tepër kritikë para botimit të një vepre, sidomos kur libri nuk ka vlera bindëse.
Pjesëmarrëse në sfidat e reja të tregut të librit, thotë se veprimtarinë e saj e ka mbështetur në disa kolana të letërsisë shqipe dhe të huaj, klasike dhe bashkëkohore. Ajo beson se botimet e saj kanë ndikuar dukshëm në cilësinë e tregut të librit shqip, ku vihet re një kujdes i veçantë profesional dhe grafik.
Vasilika Tafa nuk është vetëm “zonja e librit”, por ajo është edhe nëna e dy fëmijëve, të cilët kanë mbetur të lidhur ngushtë me punën dhe pasionin e prindërve të tyre. Tregu i librit nuk është i lehtë, dhe për fat të keq librat nuk i dashurojnë të gjithë, por brenga e Vasilika Tafës është kur ata që e duan më shumë librin nuk kanë lekë për ta blerë.
Vasilika Tafa pas një pune të gjatë 20-vjeçare në drejtimin e Ombra GVG, është përpjekur që botimet e saj të jenë pjesë e rëndësishme e rretheve intelektuale e akademike, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha trevat ku flitet shqip e më tej. Drejtimi vizionar i Vasilika Tafës, në një koordinim plot harmoni me bashkëshortin Gëzimin, ka rritur cilësinë e tregut të librit shqip dhe afrimin e tij me standardet më të larta evropiane.
Intervista
Vasilika, si ka nisur udhëtimi juaj në profesionit që përfaqësoni. Pse e nisët punën tuaj pikërisht me botimin e librave?
-Mbaj mend në adoleshencë e më vonë edhe në rini, ditët e të diela, para se të vinte mesdita, nxitoja për në librarinë e qytetit, e cila gjendej përballë liqenit, për të marrë gazetën “Drita”, apo librat librat e rinj që vinin bashkë me gazetën. Më pas zhytesha brenda faqeve të saj, duke lexuar poezitë e tregimet e javës. Ajo librari, edhe pse modeste, në kujtesën time mbetet e mrekullueshme, më shumë se intime dhe më ofronte një luks që nuk e gjej akoma askund. Atje më dukej sikur takoja të gjithë shkrimtarët e poetët e botës. Dëshira më shtynte për të blerë çdo libër që rrinte në sirtar. Zakonisht, edhe pse isha nga të parat që qëndroja në radhë, librat e autorëve të rëndësishëm, sidomos atyre të huaj, ishte e vështirë t’i siguroja, sepse një pjesë e elitës së qytetit, i kishin prenotuar më parë ato. Por shpesh, shumë libra i siguroja me vështirësi të madhe, kështu që dritarja tjetër e leximeve të mia ishte biblioteka e qytetit. Më kujtohet si tani në rininë time të hershme, kur doli libri i Ismail Kadaresë “Ftesë në studio”, unë shkova ta bleja në librari dhe libri ishte mbaruar. U mërzita shumë dhe me besoni se atë të diel që unë vendosa të blejë dhe te lexojë atë libër, nuk ishte një e diel e bukur. Librin e gjeta dhe e lexova më vonë, por nuk ishte po ai emocion padurimi si në momentin e daljes së parë në librari. Po kështu mbaj mend emocionet që kam pasur kur doli në librai libri i Dritëro Agollit, “Në rrugë dola”. Më pëlqeu shumë, aq shumë më frymëzoi sa emocionet e atij libri më ndoqën pas për një kohë të gjatë. Ndodhte që netëve të gjata zakonisht më zinte gjumi bashkë me librin. Ishte gjyshja ajo që hynte ngadalë në dhomën time, në majë të gishtave që më mbulonte dhe ma hiqte librin nga dora bashkë me fletët e shënimeve, që ishin të shumta. Saktësisht, ato shënime të ndjera, për poezitë e botuara apo prozat, dhe që më pas, një pjesë të tyre i kam botuar edhe në ish revistën “Nëntori” apo gazetën “Zëri i rinisë”, më kthyen në robinë që pasionin dhe dashurinë për librin e kthyen më pas në profesion, dhe bashkë me bashkëshortin tim themeluam Shtëpinë e librit OMBRA GVG.
Çuditërisht kjo ndjesi e adoloshencës me ndjek edhe sot. Për shkak të punës që bëj, jam pjesëmarrëse dhe vizitore e panaireve të ndryshme librit edhe jashtë Shqipërisë. Tani, kam rastin fatlum që të shoh një pjësë të mirë të botimeve që dalin në botë, dhe ndryshe nga emocionet që më shkaktonte libraria e qytetit tim të lindjes, që shtrihej buzë liqenit romatik, i gëzohem faktit që arrij të prek, shfletoj, por edhe të pasuroj bibliotekën time personale, me shumë libra në gjuhë të ndryshme.
Si e shihni ju sot profesionin e botueses së librave dhe cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur?
-Sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohen befasitë dhe ankthi mbi të papritur me të cilat të përballë ky profesion. Çdo ditë zbuloj diçka të re. Shpesh bashkudhëtoj me dilemën se çfarë është dhe si mund të funksionojë në të vërtetë një shtëpia botuese në një vend si yni, me një numër të kufizuar lexuesish... Nëse nuk ambientohesh me sfidën, por edhe nëse nuk ndjek me kujdes, trendin e zhvillimeve botimore në Europë e më tutje, mbetesh jashtë loje. Duhet të ecësh në sinkron, jo vetëm me zhvillimet e kohës, por edhe me shijen e lexuesit vendas. Ne jemi munduar që nën logon Ombra GVG, të plotësojmë interesat e një kategorie të gjerë social kulturore, të strukturuara në kolana të ndryshme, të letërsisë për fëmijë, të letërsisë botërore, të librit historik e më gjerë. Gjatë punës me këto lloje botimesh përveçse përgjegjësive të mëdha, përjetojmë edhe emocione komplekse. Ky është një profesion që ndikon në të ardhmen, por edhe në pasurimin intelektual të shoqërisë.
Editoria private shqiptare është relativisht e re. Sa herë marr në dorë katalogë të shtëpive botuese të ndryshme nga bota, dhe shoh datën e krijimit të tyre, më duket vetja se tek ne ky biznes është ende në faza rinore. Shumica prej tyre kanë mbi një shekull veprimtari, dhe kjo ekzistencë e hershme i ka dhënë botuesve të ndryshëm, konturuare dhe filozofi shumë të qarta editoriale dhe redaktoriale. Ne jemi munduar të përfitojmë nga përvojat e tyre. Duke ndjekur profilizimet dhe eksperiencat dhjetëra vjeçare të tyre, besojmë se sjellim një produkt të garantuar për lexuesin tonë.
Bazuar në këtë filozofi, struktura e kolanave tona, kapin një fashë të gjerë të moshave, dhe me mendimin se kontribuojmë sadopak, në krijimin e bibliotekave private apo pasurimin e bibliotekave publike. Për këtë ndjej një lloj krenarie, sepse, përveç autorëve më të rëndësishëm të klasikë dhe bashkëkohorë, shqiptarë dhe nga bota, krahas veprave të mrekullueshme poetike, në fondin e Ombra GVG, bëjnë pjesë botime si “Statutet e Kishës Katedrale të Drishtit” që datojnë rreth vitit 1456, “Lek Matranga, njeriu, koha dhe vepra”, apo së fundmi “Poema Arbëreshe - Poemi Arberischi”, të cilat janë vlerë e çmuar për çdo të dashuruar me librin. Ky profesion të vendos përballë sfidave të rëndësishme dhe të shumta. Disa prej tyre pavarësisht vlerës së madhe apo rëndësisë akademike, nuk janë libra aq të shitshëm në treg, por janë libra që bëjnë histori.
Puna e botuesit është një punë e vështirë ku nuk mungojnë pakënaqësitë me natyrë objektive dhe subjektive të lexuesve dhe më gjerë. A mendoni se ka gjëra që mund të ndryshojnë në profesionin tuaj?
-Edhe pse në dukje një marrëdhënie kulturore, kjo veprimtari zbaton dhe i nënshtrohet ligjeve të biznesit. Për këtë arsye gjetja e një mekanizmi sa më funksional, të vendos para vështirësive të shumta. Edhe pse brenda këtyre kushteve, zhvillohet kjo veprimtari, në fund të fund duhet të kesh brenda vetes edhe shumë cilësi idealizmi dhe humanizmi. Nëse këto dy elementë nuk alternohen me kujdes dhe nuk harmonizohen, kam bindjen se projektet apo botimet e librave nuk do të kenë një ecuri afatgjatë. Por që të dalësh me sukses në bregun tjetër të mendimit, kërkohet edhe shumë fantazi. Me këtë profesion, në mënyrë të mrekullueshme alternohet e sotmja dhe e ardhmja.
Shumë nga zonjat e përzgjedhura nga bordi i Albanian Excellence përveç punëve të mira që kanë bërë për vendin e tyre, kanë dhënë edhe një premtim në kuadër të eventit “Zonjave që bëjnë Shqipërinë”, cili është premtimi juaj?
-Unë ju falënderoj shumë që më zgjodhët mua dhe nga ana tjetër ndihem pak në siklet për këtë përzgjedhje të veçantë, sepse për mua “zonja që bëjnë Shqipërinë” janë edhe ato nëna që janë në periferitë e vendit dhe nuk kanë shumë mundësi ekonomike, por ato bëjnë gjithçka për edukimin e fëmijëve të tyre dhe sfidojnë kushte nga më të vështirat për shkollimin e fëmijëve. Ato kanë një dëshirë të madhe që të përgatisin intelektualë të ardhshëm dhe japin gjithçka nga vetja e tyre, derisa ia arrijnë qëllimit. Ky është një moment që mua nuk më mban zemra... Dhe kur shoh fëmijë të edukuar që kanë dëshirë për dije, por nuk kanë lekë të blejnë libra, (përkundër atyre që kanë lekë dhe s’i preferojnë shumë librat), unë prekem shumë, ndaj i ftoj këto nëna, këto zonja që bëjnë të ardhmen e Shqipërisë, me gjithë zemër, që nëse dëshirojnë librat për fëmijët e tyre, kur s’ia kanë mundësitë për t’i blerë të afrohen në Panairin e Librit dhe unë do t’ua dhurojë librat për fëmijët e tyre.
Po fëmijët tuaj sa të lidhur janë me librin dhe me punën tuaj?
-Fëmijët tanë janë edukuar që në vegjëli me ndenjën e kureshtjes dhe dashurinë për librin. Por ne asnjëherë nuk i kemi detyruar ata në zgjedhjet e tyre në jetë. Megjithatë, tani që ata po shkollohen në Perëndim dhe kanë marrë drejtimin e tyre në jetë, po shoh se po bëhen më të afërt e më bashkëpunues me ne, sepse shohin me interes zhvillimet e librit në Europë dhe na njoftojnë e tregojnë gjithmonë të rejat. Jemi shumë të lidhur si familje me punën me librat dhe pavarësisht nga profesioni që do të zgjedhin fëmijët tanë në jetë, i shoh ata si trashëgimtarë të denjë të botimeve tona.
Cilat janë lëvizjet, iniciativat konkrete që ju do të merrni për të ndryshuar gjërat që nuk shkojnë mirë në profesionin e botuesit?
Siç përmenda më sipër, OMBRA GVG është e strukturuar mbi disa kolana. Unë bëj çmos që në seritë e zgjedhura të përafrojmë standarde të lartë dhe vlefshmëri. Sepse lexuesi ka nevojë edhe për atë tipologji që i nevojitet në përditshmërinë e tij. Krahas kësaj, padyshim që ajo që ofrojmë i shkon tek ai nëpërmjet një vizioni të ndryshëm grafik, por edhe me emra të cilëve ai u rikthehet si domosdoshmëri për pasurimin e tij kulturor, si ushqim për shpirtin. Puna që bëj është e lidhur në mënyrë të pashmangshme edhe me të ardhmen. Nëse ajo që shërben edhe për të patur “nderin” të hyjë brenda bibliotekave personale kjo gjë më gëzon. Unë jam e pozicionuar në pjesën e atyre që ndërtojnë të ardhmen, kontribuojnë për kulturën. Sepse, nëse duhet që t’i bësh njerëzit të lumtur, duhet t’i bësh ata që të lexojnë libra.