Një platformë lundruese në mes të një liqeni është kthyer në "ringun" e radhës për Mark Zuckerberg dhe kampionin e UFC-së, Merab Dvalishvili.

Themeluesi i Meta-s publikoi në rrjetet sociale një video ku ai dhe Dvalishvili zhvillojnë një stërvitje së bashku. Në një moment, kampioni gjeorgjian e ngre në ajër Zuckerberg-un dhe e çon në anën tjetër të platformës, ndërsa të dy ia plasin të qeshurës.

Në video shfaqet edhe Priscilla Chan, bashkëshortja e Zuckerberg-ut, e cila kalon pranë tyre me kajak.

Me humor, Zuckerberg tregoi se Dvalishvili i kishte kërkuar të hiqte bluzën për t'u dukur më shumë si një "fighter".

Kjo nuk është hera e parë që të dy stërviten bashkë. Vitin e kaluar ata u përballën në një seancë stërvitore brenda një kafazi të MMA-së, ndërsa këtë herë Dvalishvili e prezantoi videon me batutën: "Round 2".

Pamjet janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe janë bërë virale.

Zuckerberg ka krijuar miqësi me disa prej emrave më të njohur të arteve marciale. Përveç Dvalishvilit, ai është stërvitur edhe me luftëtarë si Alex Pereira, Alexander Volkanovski dhe Israel Adesanya, duke e bërë gjithnjë e më të dukshëm angazhimin e tij në këtë sport.