KUKES, 5 Mars/ATSH/- Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici ka pritur sot në një vizitë Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu si dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi me Zëvëndës/Ministrin e Bujqësisë, Alban Zusi.
Në këtë takim është diskutuar gjërësisht për projektet e përbashkëta, që janë nisur në Qarkun e Kukësit, nga bashkëpunimi me Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë, si dhe mundësitë e zbatimit të projekteve të tjera, të cilat mund të ndikojnë në përmirësimin e jetës së banorëve të Qarkut të Kukësit.
Prefekti Gjici, ka falenduar Ambasadorin Braathu për kontributin që pritet të japë, Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë, për një nga projektet më të rëndësishme për zonën e Shishtavecit, atë të krijimit të kushteve të përshtatshme për sistemin vaditës, për parcelat që fermerët e zonës do të mbjellin me patate bio.
Vetë Ambasadori Braathu tha se, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Bujqësisë, fermerëve të kësaj zone do i'u vihet në dispozicion kanali vaditës, në mënyrë që të mbjellat të mos kenë probleme me ujitjen.
Ndërkohë, Zëvëndës Ministri i Bujqësisë, Alban Zusi tha: se këto ditë është bërë edhe tenderi për rikonstruksionin e këtij kanali vaditës, me një vlerë prej 35 milion lekëve të reja.
Ndërkohë, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se, për çështjen e bujqësisë, do të realizohet një takim mes Komunës së Gjakovës dhe Kukësit, në mënyrë që ky sektor të marrë një hov të ri zhvillimi.
Dalja në treg e patates bio, të Shishtavecit, është një projekt që është nisur prej kohësh dhe është iniciuar nga Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në bashkëpunim me fermerët e zonës së Shishtavecit, drejtuesit vendor atje, Ministrinë e Bujqësisë dhe organizma të tjerë nga Kosova dhe më gjërë./a.g/










