Shqipëria nuk është e gatshme për të pritur dhe trajtuar dyndje të mëdha refugjatësh, por në varësi të mundësive infrastrukturore Shqipëria mund të japë kontributin e saj të kushtëzuar nga një koordinim i plotë me vendet partnere perëndimore dhe vendimmarrjet politike të institucioneve  të Bashkimit Evropian për këtë çështje.

Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Punëve të Brendshme Ilir Marko gjate  takimit të 6-të për  PAMECA 4 në kuadër të projektit për konsolidimin e kapaciteteve ligjzbatuese në Shqipëri.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka konsideruar procesin e menaxhimit të kufijve të integruar një çështje thelbësore të sigurisë së vendit, rajonit të Ballkanit dhe më gjerë. Në kushtet aktuale kur prej kohësh kufijtë tanë kërcënohen nga dyndje të pakontrolluara të refugjatëve është konsideruar mjaft imperative përfitimi i eksperiencave më të mira nga kolegët perëndimorë për të administruar me sukses situata të ndryshme krizash në këtë fushë. PAMECA 4 ka ofruar një ndihmë të pakursyer për forcimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës për kontrollin e kufirit, duke dhënë ndihmesë për çështje sensitive si azili dhe emigracioni në përputhje me standardet SHENGEN. Falë kësaj asistence, Shqipëria ka aktualisht të miratuar një bazë ligjore dhe nënligjore moderne, si dhe një seri dokumentesh dhe manualesh strategjikë për çështjet e menaxhimit të kufijve, trajtimit të të huajve, refugjatëve etj. Kjo nuk do të thotë që vendi ynë është i gatshëm për të pritur dhe trajtuar dyndje të mëdha refugjatësh, por në varësi të mundësive tona infrastrukturore Shqipëria mund të japë kontributin e saj, të kushtëzuar nga një koordinim i plotë me vendet partnere perëndimore dhe vendimmarrjet politike të institucioneve  të Bashkimit Evropian” ka thënë ai.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)