Zvarritja e gjyqeve, ndëshkim
kush shtyn seancat, afatet e reja

Zvarritja e gjyqeve, ndëshkim<br />kush shtyn seancat, afatet e reja
Reforma në Drejtësi do t’i japë fund një prej një prej sëmundjeve më të rënda dhe të përhapura në sistemin gjyqësor, siç është zvarritja e proceseve gjyqësore civile, e cila ka gjeneruar vetëm korrupsion, makth dhe padrejtësi. Shqiptarja.com zbardh Kodin i ri të Procedurës Civile, i cili do të miratohet gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar, ku parashikon mbylljen e të gjitha hapësirave, alibive dhe manovrave, për zvarritjen e seancave gjyqësore nga gjyqtarët, avokatët apo palët në proces.

Kodi i ri, i përgatitur nga ekspertët, bazohet në praktikën gjermane dhe austriake. Ai adreson të gjitha problematikat e evidentuara në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, duke përcaktuar rregulla dhe procedura të reja për zhvillimin e proceseve gjyqësore civile në një kohë shumë të shkurtër.

Zgjerimi i kompetencave
Në këtë projektligj, nëpunësit gjyqësor i janë zgjeruar kompetencat lidhur me veprimet dhe masat që duhet të marrë në lidhje me njoftimin e palëve, me qëllim që të mos ketë pengesa për zhvillimin e procesit gjyqësor, brenda afateve të përcaktuara.

Nëpunësi gjyqësor mund t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, të cilat me ndryshimet e bëra, janë të detyruara të kthejnë përgjigje brenda afatit të përcaktuar.

Ky projektligj sjell si risi dhe raportin që nëpunësi gjyqësor harton dhe ja paraqet gjykatës lidhur me veprimet e tij, për njoftimin e palëve, për të bërë më të përgjegjshëm punonjësit, por edhe gjyqtarët për mirëadministrimin e procesit gjyqësor.

Bien alibitë
Projektligji parashikon që, në qoftë se personi i thirrur refuzon marrjen e njoftimit, nëpunësi gjyqësor ose punonjësi i shërbimit postar bën shënimin përkatës në aktin objekt njoftimi dhe, kur është e mundur, e vërteton edhe me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm. Në këtë rast, njoftimi duhet konsideruar i përfunduar.

Gjithashtu është përfshirë në këtë projektligj, për herë të parë koncepti i personit të autorizuar për marrjen e njoftimit në rastet kur palët nuk kanë mundësi të marrin njoftimin. Projektligji sjell risi sa i takon njoftimeve me mjete elektronike në rastet kur personat i kanë deklaruar më përpara ato në regjistrat publike.

Projektligji rregullon dhe parashikon procedurën e përmirësuar për rastet e njoftimit publik, duke prezantuar jo vetëm procedura më të detajuara, por njëkohësisht duke prezantuar për herë të parë një portal elektronik kombëtar për këtë qëllim, në të cilën njoftimi mund të qëndrojë për jo më pak se 20 ditë.

Masat ndëshkimore
Projektligji ndryshon nenin 107 të KPRC, duke parashikuar masa ndëshkimore për palët në proces, nëse shkaktojnë qëllimisht shtyrjen e një seance të vetme gjyqësore.

Konkretisht, nëse pala ndërgjyqëse ose përfaqësuesi i saj ka shkaktuar me faj shtyrjen e seancës gjyqësore, ose ka krijuar nevojën për një seancë tjetër gjyqësore, ose ka krijuar vonesa të panevojshme duke sjellë prova shtesë, kërkesa ose parashtrime me vonesë, gjykata kryesisht mund të caktoje një tarifë gjyqësore shtesë.

Nëse këto veprime kryhen nga përfaqësuesi pa pëlqimin paraprak të palës, përfaqësuesi detyrohet të zhdëmtoje palën me tarifën gjyqësore shtesë të vendosur. Po ashtu, ka ndryshuar edhe neni 110, ku për caktim të gabuar të vlerës së padisë dhe për llogaritje të gabuar të tarifave dhe të shpenzimeve të tjera gjyqësore, mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi kundër vendimit nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës.
 
Kushtet për rekurs
Nuk është respektuar ose është zbatuar keq ligji;

Ka shkelje të rënda të rregullave procedurale (Neni 467/a deri e të këtij Kodi);

Shkelje të tjera procedurale të cilat kanë penguar një hetim të plotë të çështjes;

Vendimi i Gjykatës së Apelit bazohet në një fakt thelbësor që është në kundërshtim me vendimet e gjykatës së shkallës së parë. 


Hartimi i projektligjit
Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e këtij projektligji ka patur si bazë një projekt të misionit EURALIUS, i përgatitur nga ekspertët e tyre sipas qasjes së praktikës gjermane dhe austriake, nëpërmjet të cilët tentohet të përmirësohen ato çështje të ngritura nga analiza e sistemit dhe strategjia e Reformës në Drejtësie.

Ky projektligj është diskutuar në grupin e punës pas draftimit të tre projektligjeve të paketës emergjente për Reformën në Drejtësi për të përshtatur dhe ndryshimet e nevojshme me ligjet e miratuara të paketës emergjente të ligjeve të reformës në drejtësi.

Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e këtij projektligji është ngritur në kuadër të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, dhe është pjesë e shtyllës për pushtetin gjyqësor.

Në përbërje të këtij grupi pune kanë qenë ekspertë të nivelit të lartë, përfaqësues të Misionit EURALIUS IV, konsulent dhe ekspertë të fushës. Grupi i punës është asistuar nga Sekretariati Teknik, i përbërë nga juristë dhe përfaqësues nga Kuvendi, Misionit EURALIUS, dhe ekspertë të fushës.
 
 
Disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile
 
Neni 3
Në Kreun VI, Sekretaria Gjyqësore, neni 78 “Nëpunësi Gjyqësor” i shtohet paragrafi i dytë dhe i tretë me këtë përmbajtje: “Nëpunësi gjyqësor merr masa të arsyeshme për realizimin e kërkimeve të nevojshme në lidhje me adresën e palës së njoftuar, në regjistrat publike, pranë autoriteteve administrative, pranë familjes dhe te afërmve, në vendbanimin e fundit të marrësit, ose nëpërmjet burimeve te tjera të mundshme.

Nëpunësi gjyqësor është përgjegjës për mos kryerjen e njoftimeve ose kryerjen e parregullt te tyre. Kërkesat e nëpunësit gjyqësor janë detyruese për subjektet të cilave iu drejtohen. Këto të fundit duhet të kthejnë përgjigje brenda afateve të caktuara në kërkesë. Për këto veprime, nëpunësi harton një raport të cilin ja paraqet gjykatës.”
 
Neni 11
Në nenin 106, në vend të fjalës “taksa”, vendoset fjala “tarifa”. Neni 12. Neni 107 ndryshohet si më poshtë vijon: Nëse pala ndërgjyqëse ose përfaqësuesi i saj ka shkaktuar me faj shtyrjen e seancës gjyqësore, ose ka krijuar nevojën për një seancë tjetër gjyqësore, ose ka krijuar vonesa të panevojshme duke sjellë prova shtesë, kërkesa ose parashtrime me vonesë, gjykata kryesisht mund të caktoje një tarifë gjyqësore shtesë sipas përcaktimeve të ligjit “Për tarifat gjyqësore.

Nëse këto veprime kryhen nga përfaqësuesi pa pëlqimin paraprak të palës, përfaqësuesi detyrohet të zhdëmtoje palën me tarifën gjyqësore shtesë të vendosur.
 
Neni 15
Ne kreun IV, me titull “Njoftimet” paragrafi i fundit i nenit 130 ndryshon si më poshtë: “Në qoftë se personi i thirrur refuzon marrjen e njoftimit, nëpunësi gjyqësor ose punonjësi i shërbimit postar bën shënimin përkatës në aktin objekt njoftimi dhe, kur është e mundur, e vërteton edhe me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm. Në këtë rast, njoftimi duhet konsideruar i përfunduar.”
 
Neni 24
Neni 158 ndryshohet me përmbajtjen si më poshtë vijon: Neni 158. Veprimet paraprake te gjyqtarit.

1. Gjykata kompetente për shqyrtimin e padisë, pasi t’i kërkoje paditësit riformulimin e padisë sipas neneve 154/a deri 156 KPRC, urdhëron të paditurin të lëshojë një deklaratë mbrojtjeje. Afati për deklaratën e mbrojtjes do të jetë 30 ditë. Të njëjtat rregulla zbatohet edhe në rastin e paraqitjes se padisë të ndërhyrësit kryesor, ose të kundrapadisë.

2. Gjykata do të informojë të paditurin në lidhje me përmbajtjen e nevojshme të deklaratës së mbrojtjes sipas paragrafit 3 të këtij neni, në lidhje me mundësinë për të kërkuar ndihmë ligjore dhe pasojat ligjore të moslëshimit të deklaratës së mbrojtjes.

3. Deklarata e mbrojtjes hartohet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:
a) Emrin e gjykatës tek e cila është paraqitur;

b) Emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit dhe ose të paditurit, si dhe personave që i përfaqësojnë ata përkatësisht, nëse ka;

c) Tregues të fakteve, rrethanave, dokumenteve dhe provave të tjera, si dhe argumenteve për kundërshtimin e padisë;
4. Përveç këtyre kërkesave, i padituri do të deklarojë qartë në deklaratën e mbrojtjes:

a) Të dhënat e kontaktit të tij elektronik ose të përfaqësuesve të tij nëse ka, të cilat gjykata mund t’i përdorë për ta njoftuar atë, si dhe deklaratën e pranimit të njoftimit nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit;

b) Listën e personave që ai dëshiron të thirren në gjyq, duke specifikuar saktë emrat e tyre, atësinë dhe mbiemrin, si dhe adresën e tyre të plotë.

5. I padituri duhet të informojë gjykatën për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës dhe të dhënave të kontaktit elektronik për vete ose përfaqësuesin e tij. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.

6. Deklarata e mbrojtjes bashkë me provat bashkangjitur i komunikohet palës paditëse nga gjykata.
 
Neni 29
Pas nenit 162, shtohet një nen i ri 162/a me përmbajtje si më poshtë: “Neni 162/a.
Procedura e Padive për Shuma të Vogla. “Në lidhje me paditë deri në 50.000 lekë, gjykata mund të vendosë ta gjykojë çështjen në një mënyrë të thjeshtuar. Shqyrtimi i çështjes para gjykatës do të bëhet me shkrim.

Gjykata mund të zhvillojë një seancë gjyqësore nëse e çmon të nevojshme, ose nëse një palë e kërkon këtë. Gjykata mund të refuzojë një kërkesë të tillë në rast se vlerëson se nuk është e nevojshme në raport me rrethanat e çështjes. Në lidhje me gjykimet e padive të mësipërme, zbatohen vetëm rregullat e përcaktuara në paragrafin e dytë të nenit 172, paragrafi 2, neni 236 paragrafi 4, 285/a, 310, 315, 460, 510.
 
Neni 30
Pas nenit 236, shtohet një nen i ri 236/a me përmbajtje si më poshtë: “Neni 236/a. Rregullat për pyetjen e dëshmitarëve për paditë më shuma të vogla. Në lidhje me paditë deri në shumën 50.000 LEK, gjykata mund të vendosë që marrja në pyetje e dëshmitarëve do të bëhet me anë të deklaratave me shkrim ose video konferencës, të siguruara jashtë ambienteve të gjykatës.
 
Neni 36
Neni 225 ndryshohet me përmbajtjen si më poshtë: “Neni 225. Mënyra e caktimit të ekspertit. Eksperti emërohet nga gjykata, duke marrë gjithashtu mendimin e palëve pjesëmarrëse në gjykim.

Nëse palët bien dakord për caktimin e ekspertit/ ekspertëve, gjykata cakton ekspertin e zgjedhur nga palët, por ajo do të vendosë mbi numrin e ekspertëve të cilët do të marrin pjesë në seancë.

Nëse palët s’bien dakord, gjyqtari i propozon në seancë përgatitore një listë me tre emra, duke i dhënë mundësi atyre për të bërë kontestimet e tyre. Në rast se nuk ka kontestime, gjykata emëron atë ekspert për të cilën palët nuk bënë konstestime.

Vendimi për emërimin e ekspertit i njoftohet atij nga sekretarja e gjykatës, e cila njofton gjithashtu edhe datën kur duhet të paraqitet në seancën e përcaktuar. Eksperti, i cili nuk pranon të kryejë këtë detyrë duhet të njoftojë gjykatën, duke dhënë argumentet përkatëse, të paktën pesë ditë para seancës gjyqësore.

Sipas rrethanave që shkaktohen, palët kërkojnë menjëherë shkarkimin e ekspertit, duke parashtruar argumentet përkatëse.
 
Neni 41
Neni 460 ndryshohet si më poshtë: Neni 460. Gjykata e Apelit shqyrton çështjen me anë të trupave gjykues, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj. Çështjet do të gjykohen nga një trup gjykues që përbëhet nga tre gjykatës. Në lidhje me paditë deri në 50.000 lekë dhe në rastin e një apeli kundër një urdhërpagese, vendimi do të merret nga një gjykatës i vetëm. Procedurat e njoftimi dhe afatet zhvillohen sipas rregullave të përgjithshme të parashikuara për njoftimin.”
 
Neni 47
Pas nenit 473 shtohet një nen 473/a me titullin dhe përmbajtjen e mëposhtme: “Neni 473/a. Kufijtë e rishikimit. Gjykata e Lartë rishikon vetëm vendimin e Gjykatës së Apelit brenda kufijve të rekursit. Arsyet në lidhje me pranueshmërinë e procedimit që duhet të shqyrtohen kryesisht mbeten të pacënuara.

dokument

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Turqia në flakë, zjarret përhapen në provincën perëndimore të Izmirit! Evakuohen banorët

Turqia në flakë, zjarret përhapen në provincën perëndimore të Izmirit! Evakuohen banorët