Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se prej 12 ditësh rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po gjëmojnë nga revolta e popullit.
Komentet Blushi i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku teksa komentoi protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, tha se largimi nga pushteti i kryeministrit Edi Rama është jetik për vendin.
Më tej Blushi tha se Partia Socialiste duhet të gjejë forcë dhe të distancohet nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij, në bashkëpunim me oligarkët, po grabisin pronat dhe pasuritë e Shqipërisë.
Fjala e Tedi Blushit në Kuvend:
Prej 12 ditësh rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po gjëmojnë nga revolta e popullit.
Kjo është rrahja e zemrës së një kombi që nuk pranon më padrejtësinë, korrupsionin, krimin, arrogancën, dhunën, gënjeshtrën, dhe përbuzjen si normalitet.
Ky është zëri i shumicës, zëri i Shqipërisë së vërtetë!
Përgjegjësia ka një emër: Edi Rama.
Ai ka mbajtur timonin dhe tepsinë për 13 vite. Ai ka pasur në dorë parlamentin, pushtetin vendor, administratën, drejtësinë.
Ai ka përdorur fuqinë e shtetit për të goditur të dobëtit dhe për të amnistuar të fortët.
Ai e shndërroi shtetin në pronë private dhe Shqipërinë në plaçkë për veten dhe oligarkët pranë tij.
Shpopullimi nuk erdhi nga opozita.
Mjerimi nuk erdhi nga opozita.
Narkoshteti nuk u ngrit nga opozita.
Korrupsioni dhe aferat mafioze nuk u prodhuan nga opozita.
Ligjin për shkatërrimin e familjes, zëvendësimit të Nënës dhe Babait me “Prindi 1” dhe “Prindi 2” dhe Shqipërinë me 72 gjini nuk e miratoi opozitar.
Të gjitha janë produkt i një superpushteti që Edi Rama përqëndroi në dorën e tij për të rrjepur, dhunuar dhe përbuzur shqiptarët.
Ndaj largimi i Edi Ramës është më shumë se kurrë jetik dhe interesi më i lartë kombëtar.
Çdo ditë kur shumica e shqiptarëve numëronte kafshatën e gojës, Edi Rama shtronte bankete me hartën e Shqipërisë, për të gllabëruar miniera, pyje, puseta nafte, male e bregdet me oligarkët e tij.
Ky është modeli mafioz i qeverisjes që opozita ka paralajmëruar dhe denoncuar prej vitesh dhe që sot është realitet.
Laguna e Zvërnecit është shndërruar në oqean revolte popullore.
Ky është shpërthimi i një populli të vjedhur, të lënduar, të përbuzur, të refuzuar.
Por pyetja nuk është çfarë do të bëjnë protestuesit. Pyetja është çfarë do të bëjë Partia Socialiste? Do të vazhdojë të mbrojë një narkoregjim autokrat, apo do të gjejë forcën për t’u shkëputur nga Edi Rama, largimi i të cilit nga pushteti është më shumë se kurrë interes kombëtar.
Shqipëria nuk i përket një partie.
Shqipëria nuk i përket një njeriu.
Shqipëria u përket shqiptarëve!
Dhe sot zëri i tyre po dëgjohet më fort se kurrë.
Liria u përket atyre që luftojnë për të dhe nga kjo luftë largohet vetëm ai që ka lindur tradhëtar.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Debate për investimet në Zvërnec, PD thirrje në kor: Rama të dorëhiqet! Balla-opozitës: Zogjtë e bufit si Flamingo nga Temu










