Duke e cilësuar ministrin e Mjedisit “struci i Nartës” sepse s’iu përgjigj pyetjeve të saj, deputetja Ina Zhupa tha se për Zvërnecin s’ka pasur asnjë miratim për të vijuar me ndërtimin, por ndërkohë ka pasur rrethim.
Me tone të ashpra, demokratja i tha Sofjan Jaupajt se me rolin e tij, shqetësimi parësor duhet të ishin zonat e mbrojtura dhe ruajtja e tyre. Zhupa tha se nuk mori përgjigje nëse ka pezullim të projektit, ndërsa kërkoi llogari për marrjen e masave dhe shfuqizimit të ligjit për zonat e mbrojtura.
“Nuk the ku është publikuar, ku është konsultuar dhe a është miratuar. Ndërkohë që nuk miratuar asgjë, atje ti kishte buldozerë e rrethim. Nuk na the që janë dhënë jo 1, por 4 leje për atë zonë atje. Është dhënë dhe kjo është përgjigje zyrtare nga AZHT. Këto s’mund të bëheshin pa konsultime me ekspertët. Këto do të ishin të pamundura nëse nuk do ta kishit ndryshuar ligjin. Ju u fshehët duke bërë të paditurin sepse vetëm zbatonit urdhrat. Punimet përgatitore nuk janë punime neutrale, janë vetë me ndikim mjedisor. Ajo që bëni sot është thjesht tallje me shqiptarët. Shqiptarët e kanë ngritur këtë shqetësim sepse janë pro mbrojtjes së Shqipërisë. Je ministër i Mjedisit, shqetësimi yt i parë duhet të ishin zonat e mbrojtura, pastrimi i tyre, mbrojtja e florës, faunës dhe ruajtja e tyre. Shqetësimi i parë duhet të ishte që ta kenë mbrojtjen 100% me ligj. Nuk ktheve përgjigje, por do të them unë për ty atë që ke frikë të thuash: ky projekt s’mund të bëhej. Turizmi nuk zhvillohet me vila individuale në zona të mbrojtura. A është pezulluar projekti të pyeta? Nuk the asnjë përgjigje. Kryeministri thotë jo, s’di as kujt t’i besoj se gënjeni të gjithë. Na e thoni, thojuani shqiptarëve. Nuk ka pronar zona e mbrojtur, pasuria publike! Kush janë masat që do të merrni për ta mbrojtur zonën e mbrojtur? Kur do ta shfuqizoni ligjin, kur të jepni gjithë Shqipërinë? Këtej doni të shuani protestën, këtej i thoni BE të tjera BE! Të tjera thoni, të tjera bëni! Në ato 3 minuta që ke, kthe ndonjë përgjigje që të mbahesh mend që je ministër!”, tha Zhupa.
Lajmi kryesor:
Interpelanca/ Jaupaj: Qeveria Rama rriti në 21% zonat e mbrojtura, për Zvërnecin kemi kërkuar nivelin më të lartë të studimit mjedisor! Opozita: Ligji u ndryshua qëllimisht









