Prej gati dy javësh çdo pasdite qytetarët kanë zhvilluar protestë para kryeministrisë për ndërtimin e resortit në Zvërnec. Në rrjete sociale qarkullojnë çdo ditë video nga protesta, mirëpo përveç atyre reale shumë video janë bërë me inteligjencë artificiale.

Aldor Nini, Drejtues i kompanisë “Acromax Media”, në një intervistë në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, tha se kohët e fundit kanë qarkulluar shumë video të tilla.

“IA është përdorur fillimisht për të krijuar meme interesante për të tërhequr vëmendjen e njerëzve, por këto 2-3 ditët e fundit unë shoh një përdorim masiv të IA për të treguar masa të mëdhaja në kryeqytet ose para kryeministrisë. Njerëzit e zakonshëm e kanë të vështirë t’i identifikojnë. Për shembull mund të shtohet numri i protestuesve, mund të shtohen tymra, mund të shtohet një agrisivitet në protesta”, tha Nini.

Ai shtoi se profilet që i shpërndajnë janë të njëta profile që shpërndajnë informacione të sakta për protesën ose dikur postonin video humoristike.

“Më vjen keq se shpërndahen nga të njëjta profile që shpërndajnë informacione të sakta për protesën. Këto profile po ti shohësh dikur shpërndanin video humori, meme. Tani protesta është një nga temat më të diskutuara për këtë arsye merren me krijmin e këtyre video”,tha ai duke shtuar se mund të bëhen edhe për çështje klikimesh.

Nini nënvizoi se videot false mund të ndikojnë veçanërisht te sektori i turizmit.

“Por ka një gjë të rrezikshme se këto video të falsifikuara mund të jenë interpretuar sikur protestuesit duan të rrisin numrin e protestuesve për publikun. Ose videot me IA në plazh, mund të ndikojnë te turizmi, veçanërisht për ata të huajt", tha ai duke shtuar se edhe faqet e huaja nga India, Pakistani i shpërndajnë për klikime për shkak se 'ne kemi influencer që blejnë klikime nga këto vende, si India, Vietnami.

Në përfundim të intervistës ai theksoi se kauza e protestuesve ka ndryshuar ditët e fundit. Sipas tij më shumë se flamingot qytetarët po dalin për problemet që ka Shqipëria.

“Kam parë Këto 2 ditët e fundit ka ndryshuar kauza e protestuesve. Shkonim më shumë për flamingot, për investimin në Zvërnec, tani po shoh më shumë për problemet që janë në Shqipëri. Më shumë flamingo shihet si simbol dhe jo si temë”, përfundoi Nini.