BERNË - Një shqiptar 25-vjeçar është arratisur nga paraburgimi, ku ndodhej në një kontenier që përdorej si qeli burgu. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Liestal, kantoni Baselland në Zvicër, ku shqiptari ndodhej në qeli si i dyshuar për tregti me drogë. Siç bën të ditur drejtoria për siguri e kantonit, ai ka realizuar ikjen pa përdorur dhunë ndaj të tjerëve.
Me gjithë angazhimin e policisë, hetuesit, ende nuk kanë mundur të bien në gjurmë e të arratisurit. Policia tha se, ka gjetur gjurmë gjaku dhe për këtë arsye mendohet se ai është plagosur gjatë ikjes. Për këtë qëllim janë njoftuar edhe spitalet e afërta.
Mbetet ende e paqartë mënyra se si i riu, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, por që është i gjatë vetëm 164 centimetra ka mundur të arratiset. Për këtë qëllim ka nisur edhe një hetim.
Kontejnerët që shërbejnë si qeli burgu janë të vendosura në një sallë të madhe e të mbyllur, kështu që shqiptarit gjatë ikjes që ka ndodhur mbrëmë në orën 22:00 të ditës së djeshme i është dashur të kalonte dy pengesa.
Sipas drejtorisë për siguri, kriteret e sigurisë në burgun e improvizuar do të ashpërsohen edhe pse ky do të jetë muaji i fundit para heqjes së tij, shkruan basellandschaftliche Zeitung.ch
Nga fundi i majit do të jetë e gatshme ndërtesa e burgut në Muttenz e cila do të zëvendësojë kontejnerët që ishin ngritur në Liestal mungesë të vendeve për të burgosurit.
Marrë nga albinfo.ch
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)







