ZVICER - Në forumin ekonomik Ndërkombëtar në Davos të Zvicrës, që tashmë është kthyer në platformë të rëndësishme diskutimesh nga liderët politikë dhe biznesmenë nga e gjithë bota, Kryeministri italian Mario Monti ka mbajtur një fjalim në lidhje me perspektivat evropiane.

Monti në deklaratën e tij siguroi delegatët pjesëmarrës në këtë forum, në angazhimin e fuqishëm të vendit të tij që të zbatojë reformat që qeveria italiane ka nisur për të menaxhuar krizën financiare, si dhe angazhimin e Italisë në Bashkimin Evropian.

Ai gjithashtu ka komentuar edhe fjalimin e kryeministrit britanik David Cameron për të mbajtur një referendum mbi qëndrimin apo jo të Britanisë së Madhe në BE.

“Në një farë mënyrë unë pajtohem me kryeministrin Cameron”, -u shpreh Monti, “pasi prosperiteti dhe rritja ekonomike duhet të jetë prioriteti numër një për Evropën”.

Gjithashtu Monti theksoi se “të gjithë së bashku do t’ja dalim mbanë për të përballuar sfidat e globalizimit dhe të kemi sukses për një Evropë inovative. Por jam i bindur se në qoftë se do të ketë referendum një ditë, qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosin për të qëndruar në Bashkimin Evropian dhe do të vazhdojnë të formojnë të ardhmen e saj. Ne në mënyrë të dëshpëruar kemi nevojë për evropianë të gatshëm", -tha Monti në fund duke mbyllur kështu fjalimin e tij.

Redaksia Online
(Gre.M/lc/Shqiptarja.com)