Sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, pritet të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të “Bordit të Paqes”, struktura ndërkombëtare e propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump e cila synon t’i japë zgjidhje konflikteve në botë.

Ceremonia do shënojë një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi diplomatiko‑politik, i cili ka ngjallur debate të mes aleatëve perëndimorë dhe aktorëve të tjerë globalë.

Disa prej udhëheqësve botërorë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë, ndërsa të tjerë kanë shfaqur skepticizëm. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime se krijimi i një organi të tillë mund të minojë rolin dhe mandatin e saj në procesin e paqes dhe rindërtimit.

Çfarë është Bordi i Paqes ?

Bordi i Paqes do të krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Roli i Shqipërisë në Bord

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bord përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Shqipëria parashikohet të ketë statusin e anëtarit themelues, duke e profilizuar si një rol aktiv dhe vendimmarrës të Bordit. Sipas qeverisë, ky status lartëson profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe e pozicionon vendin si aktor paqeje, veçanërisht në proceset që synojnë zgjidhjen e konflikteve shumëvjeçare.

Si funksionon Bordi i Paqes

Bordi do të drejtohet nga një kryetar dhe do të ketë dy struktura kryesore vendimmarrëse: Bordin e Shteteve Anëtare dhe Bordin Ekzekutiv. Vendimet do të merren me shumicë votash, por do të kërkojnë konfirmimin e kryetarit, i cili gëzon edhe të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues. Anëtarësimi i shteteve do të bëhet me ftesë dhe mandat trevjeçar, me mundësi rinovimi. Përjashtim bëjnë shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, për të cilat nuk zbatohet kufiri trevjeçar i mandatit. Bordi nuk ka juridiksion brenda territorit të tyre dhe nuk mund t’i detyrojë të marrin pjesë në misione pa pëlqimin e shprehur.

Lajm ne perditesim...