/ATSH/- Bujqësia organike në Shqipëri është ne rritje dhe kjo ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë rurale pasi gjeneron të ardhura të rëndësishme për fermerët dhe promovon ushqimin e shëndetshëm duke kontribuar njëkohësisht edhe në mbrojtjen e mjedisit.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe Ambasadori Zvicerian në Shqipëri, Christoph Graf prezantuan projektin "Fondi i Konsolidimit te Çertifikimit Lokal".
Ky projekt mbështet trupën e çertifikimit Shqiptare Albinspekt për të ofruar një shërbim profesional inspektimi dhe çertifikimi në mënyrë që të mbështesë aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregjet ndërkombëtare.
Tregjet globale për prodhim organik të çertifikuar kanë pasur një rritje të shpejte gjatë dy dekadave të fundit dhe pritet që të rriten akoma më shumë. "Kompanitë që merren me mbledhjen spontane të bimëve mjekësore dhe aromatike kanë një rol pozitiv në punësimin e grave në zonat rurale, duke i ndihmuar ato që të kenë të ardhura më të larta" tha ministri Panariti.
Prodhimi organik lidh Zvicrën dhe Shqipërinë. Objektivi i këtij projekti të financuar nga Qeveria Zvicerane është të zbusë varfërinë e fermerëve të vegjël duke promovuar tregtinë e produkteve organike të çertifikuara, konkurrencën e ndershme si dhe duke lehtësuar aksesin e tyre në tregjet Zviceriane dhe Europiane. Shqipëria eksporton çdo vit ne Zvicër 50 ton produkte të çertifikuara të tilla si bimë mjekësore dhe aromatike, vaj ulliri etj tha ambasadori Graf. Konsumatorët Zvicerian, si në çdo vend tjetër Europian kërkojnë një llojshmëri produktesh organike gjatë gjithë vitit. "Kjo është një mundësi shumë e mirë për fermerët shqiptar që të futen në këto tregje në rritje me anë të eksportit të frutave, perimeve, manaferrave, gështenjave dhe kërpudhave duke përfituar nga kushtet klimatike të Shqipërisë dhe tokave pjellore" shtoi Znj. Beate Huber, drejtuesja e projektit nga Instituti Kërkimor Zvicerian për Bujqësinë Organike (FiBL).
Kontributi Zvicerian në zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri gjatë dekadës së fundit ka pasur rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme në tri fusha:
Ekonomia: Mbështetja e sektorit privat lehtësoi konkurrencën e produkteve organike dhe pro-mjedisit në treg. Si shembull konkret, është bërë i mundur punësimi sezonal i 3,700 fermerëve të varfër në fshatrat Zus (Shkodra), Dushk (Lushnja), Vakuf (Peshkopi). Për më tepër, 3,300 grave ju janë dhjetëfishuar të ardhurat e tyre mujore.
Institucioni: Është krijuar trupa shqiptare e inspektim dhe çertifikimit Albinspekt (e akredituar dhe e njohur nga autoritetet shqiptare dhe BE), Instituti i Bujqësisë Biologjike, Shoqata Shqiptare e Marketingut.
Mjedisi: Sipërfaqja organike e çertifikuar nga mbledhja spontane e bimëve mjekësore dhe aromatike dhe gështenjave është dyfishuar duke arritur në mbi 250'000 ha, rreth 9% e sipërfaqes totale të Shqipërisë.
Sot, Shqipëria ka 51 operatorë të çertifikuar organik, 662 ha tokë e kultivuar dhe 330'677 hektarë zona nga mbledhja spontane nën skemë çertifikimi. Mbi 90% e produkteve organike të çertifikuara përbëhet nga bimët mjekësore dhe aromatike nga mbledhja spontane. Produktet e çertifikuara organike nga mbledhja spontane, bimë, vajra esencialë, kërpudha, gështenja, ullinj dhe vaj ulliri eksportohen ne BE, Amerikën Veriore, Zvicër, Europën Jug-Lindore, Turqi etj.
"Eksportet e produkteve organike te çertifikuara nga Shqipëria janë rreth 1000 ton" shtoi Z. Sokol Stafa, Drejtor i Albinspekt-Trupe Certifikimi Shqiptare. Çertifikimi është një parakusht për të hyrë në tregjet ndërkombëtare dhe për të pasur çmime më të larta. Me këtë iniciative të re, e cila do të jetë deri në 2017, qeveria Zviceriane është duke fuqizuar konkurrencën e Trupës Shqiptare të çertifikimit Albinspekt për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në mundësinë e çertifikimit të produkteve të tyre vendase, çertifikim ky i njohur nga tregjet Europiane. Projekti mbështet kornizën politike të favorshme për zhvillimin e sektorit organik dhe bashkëpunon me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave në përafrimin e legjislacionit të saj organik me rregulloret e Bashkimit Evropian.