/ATSH/.- Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani ka pritur sot në një takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang.

Sipas KosovaPress, ministri Rrahmani ka shprehur falënderimin e tij për shtetin e Zvicrës që ka mbështetur fuqishëm Kosovën, si në fushën politike e ekonomike, ashtu edhe në shëndetësi. Ai tha se reforma shëndetësore e filluar do të vazhdojë, me qëllim ndërtimin në një bazë të shëndoshë, që do të mundësojë qëndrueshmëri për të ardhmen e shëndetësisë së vendit.

"Ne jemi të interesuar që bashkëpunimi në sektorin e shëndetësisë mes dy shteteve të vazhdojë me një intensitet edhe më të lartë, duke parë edhe mundësinë e punësimit të profesionistëve shëndetësor kosovarë në shtetin e Zvicrës", tha ministri Rrahmani.

Ambasadorja Lang ka përgëzuar ministrin Rrahmani, për zgjedhjen e tij në postin e ministrit të Shëndetësisë, duke shprehur gatishmërinë e shtetit të Zvicrës për të vazhduar bashkëpunimin e mirë.

Në takim u diskutua për koordinimin e mëtejshëm lidhur me projektet që kanë të bëjnë me shëndetësinë që janë në vazhdimësi me përkrahjen e shtetit zviceran.