Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme në BE, Joseph Borrel do të rekomandojë heqjen e masave ndaj Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur, zv.kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, i cili duke raportuar sot para Komisionit për Integrimin Evropian u shpreh se raporti është gati prej dy muajsh por ka pasur hezitime për dorëzimin e tij.

“Ka pasur hezitime të dërgohet në komision, për shkak se, si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën. Bislimi ka thënë se ky raport, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet, pritet të dorëzohet gjatë javës së ardhshme. Raporti është dashur të dorëzohet pardje, mirëpo një pjesë e Komisionit kanë kërkuar të shtyhej dhe besoj që do të dorëzohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme, përmbajta e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, theksoi Bislimi.

Masat ndaj Kosovës u vendosën para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët. Ndër masat e BE-së janë pezullimi përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, i takimeve bilaterale si dhe ndalimi i ftesave në ngjarjet e nivelit të lartë.