“Qytetarët e Ballkanit po gënjehen për anëtarësimin në BE dhe nuk do të ketë zgjerim.” Këtë e mendon zëvendëskryeministri dhe ministrit të Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, i cili sot pretendoi se Bashkimi Europian e ka mbyllur procesin e zgjerimit që me anëtarësimin e Kroacisë në vitin 2013.

Në një intervistë për Gazetën Koha, Nikollovski tha se perspektiva europiane që u prezantohet vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk përputhet me realitetin politik brenda BE-së.

“Njerëzit po gënjehen në mënyrë të pandershme, dhe ajo që po ndodh është një përpjekje për të gënjyer njerëzit në të gjithë rajonin. Lidhur me zgjerimin, situata është e qartë. Ai u ndal në vitin 2013 me Kroacinë. Mundësia e vazhdimit, sipas mendimit tim, është e barabartë me teorinë. Jo për hirë tonin, por për situatën e brendshme në BE. Nëse do të ishte e kundërta e asaj që po them unë, trembëdhjetë vjet është periudhë e mjaftueshme, nga viti 2013 deri në vitin 2026, që ajo që po them unë të demantohet”, deklaroi Nikollovski.

Ai argumentoi se pengesa kryesore për zgjerimin nuk janë vendet kandidate, por mungesa e vullnetit politik brenda vetë Bashkimit Europian.

“Gjashtë vendet më të fuqishme në BE, nga gjashtë më të mëdhatë, pesë nuk janë gati për zgjerim, vetëm Polonia është pro. Dhe ky është thelbi i problemit”, tha ai.

Deklarata e Nikollovskit vjen në një periudhë kur Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me vështirësi në procesin e integrimit europian dhe ende pret hapjen efektive të kapitujve negociues. Megjithatë, qëndrimi i tij bie ndesh me deklaratat e përsëritura të institucioneve europiane, të cilat vazhdojnë të theksojnë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian.

Ndërkohë, Shqipëria ka shënuar progres në negociatat me BE-në dhe konsiderohet një nga vendet që po avancon më shpejt në procesin e anëtarësimit. Edhe Mali i Zi përmendet shpesh si kandidati më i avancuar në rajon dhe si vendi që mund të bëhet anëtari i ardhshëm i bllokut 27-anëtarësh.

Ndryshe paraqitet situata në Maqedoninë e Veriut, e cila mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë. Shkupi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese që parashikojnë përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë, kusht ky i vendosur për vijimin e procesit negociues me BE-në.

Për këto ndryshime nevojitet shumicë prej dy të tretash në Parlament, ndërsa negociatat nuk mund të ecin përpara pa përmbushjen e këtij kushti. Maqedonia e Veriut hapi zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian më 19 korrik 2022, pas miratimit të propozimit francez, por procesi mbetet i bllokuar deri në realizimin e ndryshimeve kushtetuese.