Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas tensioneve në protestën e zhvilluar ditën e sotme para godinës së Parlamentit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar pamje nga përplasjet e protestuesve me Policinë dhe fjalën e një gazetari i cili bënte thirrje për përshkallëzim, Koçiu ka shkruar dhuna verbale e fizike gjatë tubimit është e papranueshme.

Më tej në reagimin e saj, Koçiu ka shkruar se skenarët për destabilizim dhe kaos janë të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që sipas saj, i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit.

Koçiu ka theksuar gjithashtu se jeta politike dhe publike e Shqipërisë nuk do të mund të merret peng nga ky grup njerëzish, për interesa personale.

Reagimi i Koçiut:

Dhuna verbale dhe fizike e shfaqur sot jashtë Kuvendit është e papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike.

Sjellje të tilla agresive nuk i bëjnë nder as protestës dhe as kujtdo që pretendon të përfaqësojë qytetarët e këtij vendi.

Skenarët për destabilizim dhe kaos, të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit, nuk mund dhe nuk do ta marrin kurrë peng jetën publike dhe politike të Shqipërisë.

Këto tentativa do të dështojnë gjithmonë, ashtu siç kanë dështuar edhe në të kaluarën, duke u lënë njollën e turpit dhunuesve dhe braktisjen e qytetarëve, të cilët sot, më shumë se kurrë, zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

R.Xh/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 24 Qershor, 15:40

    Si ju duket plani i protestës për të shpërndarë qeverinë e Kuvendin dhe zgjedhja me short mes qytetarëve?