Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Sigurinë e Brendshme (International Homeland Security Forum), që u zhvillua në Izrael. Gjatë qëndrimit zv/ministri zhvilloi edhe disa takime me përfaqësues të rëndësishëm të vendeve partnere në fushën e sigurisë.
Në fjalën e tij përpara forumit, zv/ministri Lamallari u shpreh se Shqipëria ka dëshmuar vullnet të qartë në ruajtjen dhe ofrimin e sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Ai shtoi se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nënkupton një Evropë më të sigurt.
Gjatë qëndrimit në Izrael, zv/ministri pati një takim me Sekretaren për Sigurinë e Brendshme të SHBA, Kristjen Nielsen, të cilën e informoi mbi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe asistencën e përfituar nga strukturat e anti-terror në Policinë e Shtetit. Ai e ftoi Sekretaren Nielsen që të vizitonte Shqipërinë.
Takimi i radhës i zv/ministrit Lamallari ishte me homologun e tij gjerman, Günter Krings të cilin e informoi mbi rezultatet pozitive në luftë kundër krimit te organizuar. Ai paraqiti një përmbledhje të operacioneve të realizuara nga Task Forca Speciale dhe Njësia Anti-Skifter.

(Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe homologu gjerman, Günter Krings)
Zv/ministri i Brendshëm gjerman Krings, vlerësoi punën e bërë dhe shprehu nevojën e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit dypalësh. Gjithashtu, Lamallari u prit në një takim edhe nga Ministri për Sigurinë Publike të Izraelit, Gildan Erdan, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin dypalësh dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
Në përfundim, zv.ministri Besfort Lamallari nënshkroi deklaratën e përbashkët të vendeve partnere për thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit për adresimin e sfidave të përbashkëta si radikalizmi që çon në ekstremizëm, nxitja e urrejtjes dhe dhunës dhe terrorizmi. Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dha një intervistë për mediat ku u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes vendeve dhe agjencive partnere.
Komente









