Zëvendës/presidenti i Komisionit Europian, Rafaelle Fitto, deklaroi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në pararojë të procesit të zgjerimit dhe më afër familjes europiane sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Komentet Fitto i bëri në një takim të zhvilluar në Lecce të Italisë, me tematikë "zgjerimi i Bashkimit Evropian, mundësi dhe përfitime për qytetarët, bizneset dhe territoret".

“Ekzistojnë programe ndërkufitare përmes të cilave punojmë në këtë drejtim. Kemi, për shembull, programin Interreg mes Pulias, Shqipërisë dhe Malit të Zi, i cili nuk është zgjedhur rastësisht, sepse Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen padyshim në një fazë shumë të avancuar sa u përket rezultateve të arritura për t’u anëtarësuar së shpejti në familjen evropiane”, tha mes të tjerash Fitto gjatë takimit.

Më tej Fitto shtoi se një Evropë me 27 anëtarë nuk është më e mjaftueshme, prandaj zgjerimi është një zgjedhje e nevojshme, shkruajnë mediat e huaja.

“Kemi 9 vende që janë të interesuara për procesin e zgjerimit, ndaj është e qartë se ky proces, në këtë rast, bëhet një element thelbësor dhe i rëndësishëm. Evropa duhet të matet në nivel global. Konkurrentët e saj janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti, dhe prandaj zgjerimi është një element konsolidimi dhe forcim i projektit evropian”, shtoi ai.

Në fjalën e saj, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri tha se qëllimi i qeverisë është anëtarësimi i vendit në BE brenda vitit 2030 dhe për këtë sipas saj, ka mbështetjen e 90% të popullsisë.

Chiara Gemma, eurodeputete e së Majtës Italiane (FdI), njoftoi një mision të afërt në Tiranë për të ndjekur procesin e negociatave.