Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, i cili do të zhvillohet nga 30 shtatori deri më 2 tetor.
Lajmi u konfirmua nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, e cila bëri të ditur se në itinerarin e këtij turneu janë përfshirë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ndërsa Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk do të vizitohen në këtë fazë.
Sipas Podestës, vizitat në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë janë planifikuar të zhvillohen më vonë, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në këto dy vende.
"Siç tha presidentja në samitin e qershorit, Bashkimi ynë nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Gjatë bisedimeve me partnerët, ajo do të diskutojë për hapat e nevojshëm në rrugën e këtyre vendeve drejt Bashkimit Evropian, si dhe për procesin e integrimit gradual, të mbështetur nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha zëdhënësja Podesta.
Ky është turneu i gjashtë i Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillohet pak para publikimit të paketës vjetore të raporteve të progresit për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjatë takimeve me liderët e rajonit, fokusi do të jetë te procesi i integrimit evropian dhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.









Komente
Komento