U mbajt sot në Tiranë protesta e 5-të kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Edhe në këtë ditë të 5-të të protestës në kryeqytet, protestuesit kërkojnë anulimin e planit për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, që sipas qeverisë parashikohet të kapë vlerën e 4 miliardë dollarëve.
Ashtu si në 4 ditët e kaluara, qytetarët u grumbulluan filllimisht te Sheshi Skënderbej, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë. Para godinës kryeqeveritare, protestuesit mbajtën edhe 1 minutë heshtje për efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili sot humbi jetën gjatë operacionit në Maliq për kapjen e një të shumëkërkuari.
Protestuesit kërkojnë anulimin e planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec, duke ngritur gjithashtu një sërë kërkesash të tjera ndaj qeverisë. Ata kërkojnë shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe dorëheqjen e qeverisë.
Gjatë protestës, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që t’i bashkohen kundërshtimit të projektit.
“Kanë hequr gardhin dhe po ju thonë të shkoni të protestoni atje, që më pas t’ju shantazhojnë ose të krijojnë incidente. Mos bini pre e këtyre kurtheve, sepse janë kurthe. Qeveria është këtu në Tiranë”, u shprehën protestuesit gjatë tubimit.
Nga ana tjetër, Edi Rama është përgjigjur me një video nga ‘Porto Montenegro’, që sipas kryeministrit është një histori suksesi për këtë shtet.
"Live nga perla që e sollën këtu dikush që e përzunë nga Shqipëria. O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti. Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, ka shkruar Rama në Facebook, krahas videos së shpërndarë.
Report Tv sjell pamje të filmuara me dron të pjesëmarrjes në tubim.

Mes thirrjeve kundër projektit të resortit në Zvërnec, protestuesit kanë vijuar të shprehin pakënaqësitë e tyre edhe ndaj politikave që, sipas tyre, cenojnë interesat kombëtare dhe pasuritë publike.
Gjatë protestës së mbajtur para Kryeministrisë, një i ri mbajti një fjalim me tone të forta, duke deklaruar se Shqipëria u përket qytetarëve dhe jo individëve që, sipas saj, synojnë të përfitojnë nga pasuritë e vendit.
“Shqipëria është e jona dhe jo e disa maskarenjve që duan ta shesin dhe ta copëtojnë për interesat e veta”, u shpreh ajo para të pranishmëve.

Protesta kundër projektit të resortit në Zvërnec ka vijuar edhe sot para Kryeministrisë, ku qytetarë të shumtë kanë mbajtur fjalime kundër politikave që, sipas tyre, favorizojnë interesat e një pakice në dëm të qytetarëve.
Një protestuese u shpreh se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me zhvillimin apo investimet, por me mënyrën se si po realizohen ato dhe me përfituesit e tyre.
“Ne nuk jemi kundër zhvillimit, nuk jemi kundër investimeve. Jemi kundër varfërisë, sepse me këto investime po pasurohen të pasurit”, deklaroi ajo para pjesëmarrësve në protestë.
Në fund të fjalës së saj, protestuesja i bëri thirrje kryeministrit të largohet nga detyra, duke e akuzuar për dëmtimin e perspektivës së vendit.
“Nëse të ka mbetur pak gjak shqiptari, jep dorëheqjen. Ke shkatërruar të ardhmen e kombit”, u shpreh ajo.

Një moment i veçantë është shënuar gjatë protestës që u zhvillua para Kryeministrisë kundër projektit të resortit në Zvërnec. Një vogëlush, i shoqëruar nga prindërit e tij, mori mikrofonin për të përcjellë mesazhin e tij para protestuesve të mbledhur.
Djali, i prezantuar si Ilion, tha se është nxënës i klasës së tretë dhe kërkoi që natyra dhe hapësirat publike të mbrohen për brezat e rinj.
“Unë jam Ilion dhe jam në klasë të tretë. Ne i duam parqet, i duam lodrat, e duam natyrën, që ta mbroni për ne”, u shpreh vogëlushi.
Protesta kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec ka mbledhur jo vetëm qytetarë nga Shqipëria, por edhe shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Në tubimin e zhvilluar në Tiranë, një nga fjalimet që tërhoqi vëmendjen ishte ai i Sindi Sherit, e ardhur nga Suedia.
Ajo tha se prej 15 vitesh jeton në emigrim dhe ushtron profesionin e pedagoges në universitete jashtë Shqipërisë, por shtoi se dëshira për të kontribuar në vendin e saj mbetet e fortë.
“Kam ardhur nga Suedia. Kam 15 vite në emigrim. Jam pedagoge në universitete të botës, por kjo nuk do të thotë se një ditë nuk do të vij të kontribuoj këtu”, u shpreh ajo para protestuesve.
Në fjalën e saj, Sheri falënderoi pjesëmarrësit në protestë, duke thënë se lëvizja qytetare i ka dhënë shpresë.
“Faleminderit që më keni dhënë shpresë për herë të parë në jetën time”, deklaroi ajo.
Në Tiranë u mbajt protesta e pestë kundër projektit për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec.
Gjatë protestës, një qytetare mbajti një fjalim me tone të forta, duke kundërshtuar projektin dhe duke theksuar se pasuritë natyrore të vendit u përkasin qytetarëve shqiptarë.
“Shqipëria është e jona, deti është i yni. Kjo tokë është e jona, nuk do ta shisni dot”, u shpreh ajo para protestuesve të mbledhur në shesh.
Protestuesja theksoi gjithashtu rolin e emigrantëve shqiptarë në mbështetje të kauzës kundër projektit, duke deklaruar se “Diaspora është këtu për të mbrojtur Shqipërinë nga çdo tradhtar”.
Pas kryeministrisë protestuesit iu drejtuan sheshit 'Skënderbej' për të vijuar me protestën e tyre për Zvërnecin.
Disa prej tyre hipën edhe në monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe duke valvitur flamurin ata dëgjohen të thonë 'Shqipëria e shqiptarëve'.
Më herët ata u ulën edhe te kryqëzimi i 9-katëshve duke duke duartrokituar dhe brohoritur 'Ejani mblidhuni këtu këtu'.

Sot u mbajt protesta e pestë në Tiranë me thirrje kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec. Edhe ditën e sotme, dukej se pjesëmarrësit dëshironin të ruanin imunitetin e protestës ndaj partive politike, e veçanërisht ndaj atyre të vogla e të reja, që përpiqen të kapitalizojnë situatën në mbështetje elektorale.
Një ndër pankartat e shpalosura në tubim, ishte pikërisht thirrja që Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, Agron Shehaj i Partisë Mundësia dhe Adriatik Lapaj i Shqipëria Bëhet, të qëndronin larg protestës, duke i quajtuar ata paterica të pushtetit të kryeministrit Edi Rama.
"Largoni partiçkat e Ramës që duan të marrin zvarrë protestën",- thuhet në një prej pankartave të shumta.

Nga protesta e qytetarëve që po mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u prezantuan pesë kërkesa drejtuar kryeministrit Edi Rama, të cilat sipas organizatorëve janë të panegociueshme dhe janë hartuar nga lëvizja qytetare.
“Pas pesë ditësh protestash të pandërprera në Tiranë dhe duke parë vendosmërinë e sovranit për të përmbushur kërkesat tona, ju njoftojmë se kjo nismë mbështetet nga një grup me integritet. Gra dhe burra dinjitozë, të vendosur për t’i çuar deri në fund kërkesat e sovranit, do të dimë të marrim në kohën e duhur vendimet e duhura.
Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj një rreziku të madh në të cilin ndodhet vendi ynë. Deklaroj se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauze të drejtë kombëtare për të ardhmen e Shqipërisë.
Paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të lirisë dhe interesit kombëtar:
Dorëheqjen e qeverisë.
Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë.
Shfuqizimin e Paketës së Maleve.
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare”, tha protestuesi.

Në protestën që po mbahet në Tiranë kundër projektit në Zvërnec, një banore nga Rrjolli u shpreh se kur pa atë panoramë kur një qytetar u tërhoq zvarrë në Zvërnec, iu kujtuan përplasjet me policinë në Rrjoll.
“Kur pashë atë djalin e tërhequr zvarrë në Zvërnec, mu kujtuan përplasjet me grushta me policinë në Rrjoll, por nuk na kanë penguar të mbrojmë të drejtën tonë.
Ju jeni më shumë se Rrjolli, se Zvërneci dhe interesat personale, jemi për të mbrojtur atdheun. Na pyesin kush e organizon?? Ju jeni organizatorët, në shesh deri në kthimin e dinjitetit të këtij vendit. Eksponentët politik që kanë qëllim të prishin këtë bukuri, të distancohen. Nuk do e marrë asnjë parti politike meritën e të gjithë juve që jeni në shesh”, tha banorja nga Rrjolli.
Qytetarët e Durrësit u mblodhën sërish në sheshin qendror të qytetit për t’iu bashkuar protestës kundra zhvillimit të projektit në Zvërnec.
Pas himnit të flamurit qytetarët mbajten një minute heshtje për humbjen e jetës së efektivit në qytetin e Korçës dhe disa prej tyre vendosën lule në mënyrë simbolike pranë bashkisë.
Protesta vazhdon me fjalën e qytetarëve ku iu bashkuan dhe banorët e prekur nga zhvillimi i projektit të TID-it të cilën ngritën dhe shqetësimin e tyre.
Nuk munguan në shesh as mbështetës nga partitë e vogla opozitare si Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe mbeshtetës të Partisë Demokratike.
Ata treguan për mikrofonin e Report Tv se dalja në protestë nuk vjen vetëm prej zhvillimit të projektit por edhe për mënyrat arbitrare të trajtimit të protestueseve në Zvërnec dhe gjithashtu çështje të tjera kombëtare.
Protesta pati prani nga qytetarë të thjeshtë dhe nuk pati figura politike të pranishme.
Komente



Protesta te kthehet ne parti politike tani sa ka akoma ka energji. Njerzit qe e mbeshtesin nuk jane aq jane me shume. Por kan edhe frike sepse jane ne vende pune ne shtet.
PërgjigjuMos e kanalizoni kuptimin e kesaj proteste aty ku doni ju. Njerezit jane ngopur me kete qeverisje arrogante. Nuk jane kunder investimeve, po jane kunder atyre qe duan te investojne duke prishur vendin dhe duke marre zvarre njerezit. Keshtu qe te hapin krahun edhe Saliu edhe Edi se e kane bere vendin si sarajin e tyre.
PërgjigjuUn nuk do thoja te ngopura! Jane te saturuar nga Arroganca dhe Degradimi moral qe fshihet pas fasadave dhe lulishteve!
Kjo proteste sa po rritet , mesa duket iku politika e vjeter
PërgjigjuKjo protesete me sa duket nuk jan as 0.1 % e Tiranes lere me te shqiperise . Eshte e pa shprese mos shpresoni kot enderra ne diell. Proteste e radhes, thjesht larmi demokratike !!
Me ca shihet e ngjohet po