Ildi Gruda nuk është më sulmuesi i Teutës. Pas tre vitesh dhe katër trofeve në Durrës, lezhjani ka konfirmuar largimin nga durrsakët e Edi Martinit. 23-vjeçari sezonin që lamë pas luajti në 26 ndeshje, duke koleksionuar 1650 minuta, teksa shënoi katër gola dhe dhuroi tre asiste.
"Dua t'iu njoftoj se aventura ime te skuadra e Teutës mbaron këtu. Ajo çfarë ndjej është mirënjohje dhe falenderime pafund për këtë familje të madhe që më hapi dyert plot dashuri dhe më mori pranë gjirit të saj duke më dhënë mundësinë të përjetoj 3 vite e gjymë plot emocion, sfida dhe trofe. Dua të falenderoj presidentin Edmond Hasanbelliu për përkrahjen, trajnerin Edi Martini që besoi tek une, të gjithë stafin me të cilët punova këto vite, shokët e skuadrës që kaluam çdo gjë bashkë dhe tifozerinë durrsake që na mbështeti në çdo moment të mirë e të keq", shkruan Gruda mes të tjerash.
I dalë nga moshat e Vllaznisë, sulmuesi ka luajtur edhe me Valleta në Maltë dhe Shënkollin në Shqipëri. Tanimë sulmuesi është futbollist i lirë dhe në pritje të një kontrate të re. Gruda fitoi me Teutën 1 kampionat, një Kupë të Shqipërisë dhe dy Superkupa. Pas Albion Markut dhe Sherif Kallakut, Gruda bëhet largimi i radhës nga Teuta.