Juventus ka njoftuar zyrtarisht emërimin e ish-trajnerit të përfaqësueses italiane, Luciano Spalletti, si trajneri i ri i klubit, pas shkarkimit të Igor Tudor në fillim të kësaj jave.

66-vjeçari ka nënshkruar një kontratë afatshkurtër deri në fund të sezonit 2025-2026, me një opsion për ta zgjatur atë nëse ‘Zonja e Vjetër’ kualifikohet në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Sipas raporteve të fundit, Spalletti do të përfitojë një rrogë prej rreth 3 milionë eurosh deri në fund të këtij sezoni. 

Spalletti ka drejtuar skuadra si Empoli, Sampdoria, Udinese, Ancona, Roma, Zenit Shën Petersburg, Interi, Napoli dhe së fundmi kombëtarja e Italisë, ku u shkarkua më 10 qershor të këtij viti.

Spalletti ka fituar Serie A me Napolin në sezonin 2022-23, ndërsa ka dy trofe të Kupës së Italisë të fituar me Romën (sezoni 2006-07 dhe 2007-08), si edhe Superkupën e Italisë me Romën në sezonin 2007-08. Ai ka edhe katër trofe të fituar me Zenitin në Rusi, ku veç të tjerash edhe dy herë kampionatin në sezonet 2009-10 dhe 2011-12.