DURRËS - Klubi i Futbollit Teuta ka vendosur të shkarkojë trajnerin Bledar Devolli. I emëruar në krye të pankinës durrsake më 22 janar për të zëvendësuar Edi Martinin, aventura e ish-mesfushorit te ‘Djemtë e Detit’ ka zgjatur më pak se një muaj.
Në katër takime te Teuta në Superligë, Devolli ka siguruar vetëm një pikë dhe tre humbje, të cilat kanë bërë që presidenti Edmond Hasanbelliu ta largojë. Bledar Hodo do të marrë rolin e trajnerit të pare te Teuta.
‘Klubi i futbollit Teuta njofton se ka shkëputur marrëveshjen me trajnerin Bledar Devolli. KF Teuta falenderon trajnerin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën blu, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen.

Bledar Hodo do të marrë rolin e trajnerit të parë ndërsa pjesë e stafit të të tij do të jenë përgatitësi i portierëve Bledian Rizvani dhe përgatitësi altetik Mark Dodaj’, njofton klubi durrsak.
Pas javës së 25-të në Superligë skuadra e Teutës ka grumbulluar 24 pikë dhe ndodhet në pozitën e nëntë (e parafundit).