Një letër në një avion që vinte nga Manchesteri ku në gjuhën angleze shkruhej një kërcënim për bombë, ka vënë në lëvizje policinë.

Letra u gjet në tualetin e avionit. Sapo avioni mbërriti në Rinas, me ndihmën e qenve antieksplozivë, policia kreu kontrollin e mjetit fluturues, pasagjerëve dhe bagazheve. Në avion, nuk u gjet asnjë send shpërthyes.

Pasagjerët u kontrolluan në grupe dhe me skaner për të identifikuar sende që mund të lidheshin me letrën kërcënuese.

Rasti po hetohet nga Antiterrori dhe Prokuroria.

Njoftimi i plotë:

Rinas/ Informacion paraprak

Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.

Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.

Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.

Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.