Fiorentina ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit Stefano Pioli. Rikthimi i dytë i 60-vjeçarit në Firenze nuk ka qenë i duhuri, pasi gjatë 10-të javëve të këtij sezoni nuk ka mundur të marrë asnjë fitore dhe me vetëm katër pikë ekipi ndodhet në vendin e fundit, gjë që nuk kishte ndodhur për 83 vite te ekipi 'Vjollcë'.

"Fiorentina njofton se Stefano Pioli është shkarkuar nga detyrat e tij si trajner i ekipit të parë të meshkujve sot (4 nëntor). Klubi dëshiron të falenderojë trajnerin dhe ndihmësit e tij për profesionalizmin që treguan gjatë punës së tyre. Menaxhimi teknik i ekipit të parë i është besuar përkohësisht, duke filluar nga stërvitja e sotme pasdite, z. Daniele Galopa”, njofton klubi nga Firenze.

Humbja 0-1 kundër Lecces në fundjavë me golin e Medon Berishës, ka "derdhur kupën" për trajnerin Pioli. Veç Fiores, Pioli ka drejtuar edhe Parmën, Sassuolon, Chievon, Palermon, Bolognan, Lazion, Interin, Milanin dhe Al Nassr. Në sezonin 2021-22 ai u shpall kampion i Serie A me Milanin.