Tirana ka prezantuar zyrtarisht Fjoart Jonuzin. Kuksianit i skadoi kontrata me Vllazninë dhe pas tre sezonesh lë shkodranët për t'iu bashkuar skuadrës së Orges Shehit. 26-vjeçari është ndër më të mirët në rolin e tij, teksa me këtë afrim Tirana ka "blinduar" mesin e fushës, duke gjetur edhe emrin e duhur për të zëvendësuar të larguarin Albano Aleksi.
Jonuzi spikati sezonin e shkuar, teksa luajti 35 ndeshje në Superligë për shkodranët duke shënuar edhe shtatë gola. Mesfushori zhvilloi edhe shtatë paraqitje në Kupën e Shqipërisë (1 gol), si edhe dy në kualifikueset e Conference League.
I dalë nga moshat e Kukësit, ai ka luajtur edhe për ekipin e parë të vendlindjes, teksa provoi edhe të luante me Laçin dhe Gjilanin (Kosovë). Prej verës së 2020 ai ishte pjesë e Vllaznisë, duke fituar dy trofe.

Pas emrave si Selmani, Kaina, Latifi, Mici apo Doka, Tirana "plaçkit" sërish në Shkodër duke marrë Jonuzin.
S.Dh/Shqiptarja.comKomente

