ROMË - Tani ka përfunduar vërtet. Aventura e Claudio Ranieri si këshilltari i lartë i pronarëve 'Friedkin' te Roma në Serie A është mbyllur. Pronarët e klubit verdhekuq kanë vendosur ta ndërpresin raportin me konsulentin e tyre personal. Ranieri kishte një kontratë deri më 30 qershor 2027, së cilës nuk do t’i shkojë deri në fund.
'Friedkin' më parë kishin konfirmuar besimin e tyre ndaj Ranierit, por tashmë gjithçka ka ndryshuar. Ka pasur përplasje në distancë mes drejtuesit ekspert dhe trajnerit Gasperini. “E lehtë të flasësh vetëm për Wesley dhe Malen, por të gjitha blerjet janë bërë bashkë me trajnerin. Tre trajnerë na kanë thënë ‘jo’, prandaj klubi zgjodhi Gasperinin", tha më herët Ranieri. Qëndrime që nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit Gasperini, i cili u përgjigj i prekur dhe në lot: “Tifozët tanë nuk e meritojnë këtë teatër”.
Ky ishte fërkimi i fundit mes të dyve, teksa 'Friedkin' janë përpjekur ta mbyllin krisjen, por duket se ishte e pamundur që ata të punonin bashkë. Pas Ranierit, me shumë mundësi do të largohet nga Roma edhe Frederic Massara, drejtori sportiv. Edhe ai nuk ka qenë asnjëherë dakord me trajnerin Gasperini.
Në Romë i kanë dhënë besim trajnerit Gian Piero Gasperini, si një shenjë se puna e tij e mirë do të shpërblehet në të ardhmen, edhe me 'bekimin' e tifozëve të cilët në gjithë këtë tymnajë kanë qenë në krah të trajnerit.
Komente








