Zyrtare/ Vllaznia prezanton Thomas Brdaric, zëvendëson Osmanin në stol! Trajneri flet shqip (VIDEO)

Zyrtare/ Vllaznia prezanton Thomas Brdaric, zëvendëson Osmanin në stol! Trajneri flet shqip (VIDEO)

Thomas Brdaric

Thomas Brdaric (49 vjeç) do jetë trajneri i ri i Vllaznisë së Shkodrës në futboll për herë të dytë në karrierë. Tanimë shkodranët kanë prezantuar trajnerin kroato-gjerman që e ka aventurën e dytë në krye të kuqebluve, kjo pas viteve 2020 deri në 2022, ku fitoi edhe Kupën e Shqipërisë dhe ishte pranë titullit kampion në Superligë. Ai zëvendëson Qatip Osmanin, shkarkuar dje në orët e vona të mbrëmjes nga klubi shkodran. "Mirë se ju gjeta. Forca Vllaznia", thotë trajneri Brdaric.

Gjatë eksperiencës së parë te Vllaznia, gjermani me origjinë kroate u ul në stol 77 herë dhe bëri që në Shkodër ta dashuronin për punën e bërë. Pas largimit nga Vllaznia në 14 marsin e 2022, Brdaric drejtoi për 28 ndeshje Chennaiyin në Indi dhe Al Arabi (3 takime) në Kuvajt.

Vllaznia këtë sezon është në garë për titullin e dhjetë kampion në Superligë, teksa herën e fundit që kanë fituar këtë trofe ka qenë 23 vite më parë, në sezonin 2000-01. Me 52 pikë pas javës së 32-të, Vllaznia mban vendin e dytë dhe është në rrugë të mbarë për t'i mbyllur 36 javët e rregullta në katër vendet e para për të qenë në "Final 4", mini-turneun që do diskutojnë katër ekipet e renditura në top katërshe për titullin kampion të këtij edicioni.

Karriera - Përpara 10 gushtit 2020 kur u afrua për herë të parë nga Vllaznia, Brdaric ka qenë drejtor sportiv dhe trajner në ekipe si: Union Solingen, Bayer Levekrusen Youth, Uerdingen U-19, Dinamo Minsk, Uolfsburg 2, Shkëndija e Tetovës, Te-Be Nerlin apo Rotueib Erfurt.

Në karrierën si lojtar, Brdaric ka luajtur me klube si Bayer Levekrusen, Hannover, Uolfsburg apo edhe Fortuna Koln, teksa ka qenë pjesë në tetë takime për kombëtaren gjermane në rolin e sulmuesit, duke shënuar edhe një gol.

Ai ka luajtur gjithsej 204 ndeshje në Bundesligë duke shënuar 54 gola, teksa në Champions League ka qenë prezent në 28 takime duke shënuar tre herë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:04
Thomas Brdaric thotë fjalët e para pas rikthimit te Vllaznia: Të 'marrim hak' kundër Egnatias, kopjojmë Leverkusenin


Thomas Brdaric është zyrtarisht trajneri që do pasojë Qatip Osmanin në stolin e Vllaznisë. Kontrata e kroato-gjermanit në rikthimin në Shkodër do jetë deri në fundin e sezonit, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër. Ndihmës i tij do jetë Ergi Borshi, teksa trajneri ka nisur menjëherë nga puna.

Para stërvitjes së të premtes pasdite, trajneri ka dalë para medieve ku ka folur për këtë rikthim dhe ndeshjen e së dielës në 15:00 kundër Egnatias në Rrogozhinë, ekipit që i eliminoi shkodranët nga Kupa e Shqipërisë në mesjavë.

"Jam shumë i lumtur që jam këtu. Dua të vlerësoj paraardhësin Osmani, ka bërë një punë të mirë dhe jemi këtu në garë. Kjo është jeta, ndodhin shumë gjëra. Unë vendosa me zemër të jem këtu pasi kemi kaluar kohë të mira. Objektivi është të fitojmë titullin.

Rikthimi - Në jetë bëjmë gabimë, rëndësi ka të shohim para dhe mos mendojmë për ato që kanë kaluar. Kam marrëdhënie të mira me presidentin e Vllaznisë, vetëm dy ditë në jetë nuk kemi qenë mirë mes nesh. Dua të jem falenderues për të gjithë për këto arritje.

Skuadra, sa e njihni? Ekipi ka kualitet, për dy ditë duhet fat të fitojmë ndeshjen. Duhet besim i plotë dhe të përgatitemi mirë për ndeshjet e radhës.

Titulli kampion - Egnatia ka bërë kampionat të mirë. Duhet të përmirësohemi për t'i mundur, jemi pranë, por na duhet punë.

Kontrata - Jam këtu që t'i jap ekipit identitet dhe nuk kemi shumë kohë. Duhet të fitojmë dhe zëmë vend në "Final 4". Nuk mendoj se do largohem nëse nuk fitoj titullin.

Kundër Egnatias kryesuese të diel - E pashë ndeshjen e fundit dhe duam të marrim hak. I kam thënë lojtarëve që duhet të përmirësohemi dhe jo të mendojmë, na duhet motivim që do i japim ekipit.

Nuk kam ardhur të ankohem çfarë nuk është bërë në të shkuarën, duam të përmirësohemi. Kam folur edhe me Tefik Osmanin, jam i gëzuar që do punojmë bashkë.

Keni luajtur me Leverkusen - I kam ndjekur në stërvitje, Xabi Alonso ka bërë një punë të mirë dhe fokusi im me lojtarët në fjalën e parë ishte që duhet të investohemi në stërvitje. Forma e tyre është një shembull për t'u marrë", tha Brdaric.

S.DH/B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

U shpall kampion me Interin, Simone Inzaghi s'e harron Igli Taren: Ai dhe Lotito më dhanë një dorë

U shpall kampion me Interin, Simone Inzaghi s'e harron Igli Taren: Ai dhe Lotito më dhanë një dorë