Zjarret mbeten problematikë edhe këtë fillim tetori! Prej dy ditësh në disa zona malore të Kukësit kemi vatra aktive, ndërsa shërbimet zjarrfikëse po punojnë për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
Një prej vatrave më problematike është ajo në fshatin Kollovoz, ku terreni i vështirë malor po e vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Sipas të dhënave paraprake, nga flakët janë përfshirë rreth 50 hektarë tokë me shkurre dhe ferra.
Për shuarjen e zjarrit, krahas shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Kukës, janë angazhuar edhe banorë të zonës dhe forca të tjera operacionale, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është evidentuar sot në fshatin Surroj, në zonën e bjeshkëve, në vendin e quajtur Qafë-Kali. Shërbimet zjarrfikëse janë nisur drejt kësaj zone për të ndërhyrë dhe për të vlerësuar situatën në terren.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarreve në të dyja zonat. Erërat dhe temperaturat relativisht të larta për këtë periudhë të vjeshtës po favorizojnë përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë punën e forcave në terren.
Fatmirësisht, të dyja vatrat ndodhen larg zonave të banuara dhe deri tani nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për banorët.











Komente
Komento