Me tensione dhe debate është shoqëruar mbledhja e Partisë Demokratike në Shkodër, e zhvilluar nën drejtimin e drejtuesit politik të qarkut, Luciano Boçi.
Takimi u fokusua në konfirmimin e kandidatëve për kryetar të degës së PD Shkodër, proces që ka sjellë diskutime dhe kundërshtime nga disa anëtarë të strukturave. Debatet kanë lindur pas vendimit për të konfirmuar vetëm dy kandidatë në garë, Genti Ibroja dhe Ardit Qylybyli, ndërkohë që nga baza ishte propozuar një listë më e gjerë emrash.
Gjatë mbledhjes nuk kanë munguar momentet e tensionit dhe përplasjet verbale mes disa prej pjesëmarrësve, ndërsa të tjerë kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të vijuar diskutimet.
Zgjedhjet për kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike në Shkodër pritet të zhvillohen më 15 mars, sipas parimit “një anëtar, një votë”, ku anëtarësia do të vendosë për drejtimin e ri të kësaj dege.
Komente












