Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi mbrëmjen e sotme një mbledhje me kandidatët për këshilltarë bashkiakë të PL-së në Këshillin e Bashkisë së Tiranës. Ai foli për koalicionin e zyrtarizuar mbrëmjen e djeshme me Berishën nën siglën ‘Bashkë Fitojmë’, për të cilin tha se është firmosur prej disa muajsh dhe lidhet me transformimin e këshilltave bashkiakë në parlamente të vërteta vendore.
“Nuk është diçka e re koalicioni ynë me Partinë Demokratike sepse është një koalicion i firmosur prej disa muajsh. Ka të bëjë me transformimin e këshillave bashkiakë në parlamente të vërteta vendore ku do të flasin vetë qytetarët nga tribuna e këshillit të bashkisë për problemet që ata ndeshin. Për padrejtësinë që kanë ndeshur dhe do u jepet zgjedhje shqetësimeve të tyre dhe jo klientelës së kryebashkiakëve dhe qeverisë në largim”- u shpreh Meta.
Mes të tjerash, ai tha se nuk ka një debat të brendshëm mes koalicionit me Berishën sa i takon çështjes së pozicionimeve të kandidatëve në listat për këshilltarë bashkiakë. Sipas tij, do të kishte një prishje të marrëdhënieve me Berishën vetëm për interesin kombëtar dhe kushtetutën.
“Ka fjalë do prishet Berisha me Metën, nuk jam prishur kurrë me njeri për gjëra të tilla si kandidatë apo ministri e pozicione. Për kushtetutën prishem unë, për interesin kombëtar jam prishur, për gjëra të tilla nuk prishem. Me Berishën prishem për dy gjëra, po bashkëpunoi me Edi Ramën, jo me PS-në, po me Ramën që ka mendjen të blejë e të korruptojë njerëz. Edhe nëse tërhiqet nga firma për referendumin, që ai nuk e bën se i qëndron marrëveshjeve dhe fjalës deri në fund. Kjo nuk është betejë për Metën e Berishën, por për shqiptarët. Koalicioni do jetë fitues sepse ka në qendër shqiptarët”-tha Meta.
Mbrëmjen e 15 marsit,, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari dorëzoi në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kryesohet nga Partia e Lirisë. E dyta në renditjen e partive përbërëse të koalicionit, është edhe Partia Demokratike e Berishës, gjë që pritet të sjellë edhe kthimin e kërkesës për këtë koalicion pasi KQZ nuk e ka pranuar regjistrimin e PD-së së kryesuar nga ish kryeministri, me argument se Basha është ende kryetari ligjor i partisë. Pjesë e koalicionit janë edhe Partia Republikane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.