Tupanat ranë në Tiranë në këtë 112 vjetor pavarësi duke bërë bashkë për herë të dytë shqiptarët e gjithë trevave shqipfolëse në paradën e traditës, kulturës dhe trashëgimisë së palëkundur të shqiptarëve.
Parada u hap me poezinë ‘Shqypnia e Lirë’ e Gjergj Fishtës nga Reshat Arbana.
Nga Sheshi ‘Nënë Tereza’ deri tek Sheshi “Skënderbej”, parakaluan mbi 300 grupe artistike nga kudo që flitet shqip me mbi 10 mijë të pranishëm që kthyen Tiranën këtë 28 nëntor në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.
Me plisa në kokë e flamurin kuqezi shqiptarët nga Nju Jorku i largët, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, arbëreshët e Italisë, nga kudo ku jetojnë bijtë e shqiptarëve erdhën në Tiranë për të shtruar sofrën e madhe të festës shqiptare.