13 raste të reja me koronavirus dhe 20 të shëruar në 24 orët e fundit në Shqipëri

12 Prill 2020, 11:27 | Përditesimi i fundit: 2020-04-12 14:16:40

TIRANE-Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 13 raste të reja me koronavirus nga 233 teste që janë bërë në laboratorin e ISHP-së, 4 raste më pak se dje. Harta e të prekurve zgjerohet me 6 raste në Tiranë, 5 në Shkodër dhe 2 në Durrës, të cilët sipas ministrisë së Shëndetësisë janë kontakte të rasteve të para, jo vatra të reja. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 49 pacientë. Në total numri i personave që janë prekur shkon në 446 prej datës 8 mars kur u regjistrua rasti i parë. Të shëruarit në 24 orët e fundit janë 20 duke e dërguar në total në 217 numrin e personave që e kanë fituar luftën me këtë sëmundje. Ndërkohë që 23 persona kanë humbur jetën deri tani.

Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik dha detaje të tjera në publikimin e buletinit të 24 orëve të fundit. "Vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Në 24 orët e fundit janë testuar 233 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3877 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 446 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.