14 ditë pas dozës së parë të vaksinës, Pëllumb Pipero rezulton pozitiv me COVID!

27 Janar 2021, 12:25 | Përditesimi i fundit: 2021-01-27 16:26:24

TIRANË- Mjeku Pëllumb Pipero ka rezultuar pozitiv me COVID-19, 14 ditë pasi mori dozën e parë të vaksinës. Lajmi konfirmohet nga burime për Report Tv, në një kohë që Pipero ishte në pritje për të marrë dozën e dytë pas pak ditësh. Testin e ka bërë një ditë më parë, ku ka rezultuar pozitiv, ndërkohë që për një konfirmim do të bëjë sërish tampon pas 72 orësh.

Theksojmë që kjo nuk është hera e parë që ndodh. Raste të tilla të ngjashme, pra që infektohet me COVID pas marrjes së vaksinës, janë regjistruar edhe në shtetet e tjera të botës. Sipas Ekspertëve të Shëndetësisë, kjo ndodh pasi anti-trupat nuk janë aktivizuar ende, pasi është e domosdoshme marrja e dozës së dytë. Sipas tyre, do  të duhen shtatë ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës që një person të jetë i mbrojtur ndaj virusit.

Nëse Pipero do të rezultojë pozitiv deri më 1 shkurt, atëherë kur është planifikuar që të merret doza e dytë për të vaksinuarit e ditës së parë, ai nuk do duhet të bëjë. Kjo pasi është e ndaluar që të infektuarit me COVID të bëjnë vaksinën.

Pipero ishte në listën e 4 personave të parë që morën ‘live’ dozën e parën të vaksinës, mes të cilëve ishte profesoreshë Najada Çomo, kryeministri Edi Rama dhe profesor Tritan Kalo. Vaksinimi nisi zyrtarisht më 11 janar në Shqipëri me vaksina të Pfizer të dhuruara nga një shtet mik, për të cilin Rama zgjodhi që të mos e zbulonte. Ndërkohë, vendi ynë është në pritje të 500 mijë dozave të vaksinës të siguruara nga marrëveshja me kompaninë Pfizer.