28 viktima/14 raste të reja me COVID, zgjerohet harta nga fasoneria në Krujë dhe burgu 313-të

26 Prill 2020, 11:20 | Përditesimi i fundit: 2020-04-26 14:30:11

TIRANE-Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 264 persona të dyshuar me COVID-19, nga të cilët 14 kanë rezultuar pozitiv, 20 më pak se dje, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 726 në vendin tonë. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Krujë, Tiranë dhe Shkodër. Në Krujë  janë zbuluar 9 raste të reja, 4 raste pozitive janë në Tiranë, mes të cilëve një në institucionin e vuajtjes së dënimit, pra te burgu 313-të duke e çuar në 19 numrin e të infektuarve në total në këtë vatër dhe një rast i ri është në Shkodër.

Gjatë 24 orëve të fundit, 7 pacientë të tjerë, të gjithë nga Shkodra, i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 410.  Aktualisht në vendin tonë 288 janë persona aktivë me COVID19 duke vijuar që numri i të shëruarve të jetë më i lartë se i të infektuarve aktivë.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 60-vjeçar në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej dy javësh në reanimacion, i cili vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 36 pacientë.