34 raste të reja sot! 18 kontakte nga fasoneria në Krujë, 4 nga vatra e burgut, shtrihet harta në Mat! 9 të shëruar

TIRANE- 34 raste të reja kanë rezultuar me COVID-19 nga 247 teste të kryera 24 orët e fundit, duke e çuar në 712 numrin e të prekurve nga 7015 teste të kryera në total. Vatra e nxehtë e fasonerisë së Krujës zgjerohet me 18 raste kontakte të punonjësve ndërsa për herë të parë harta e të infektuarve shtrihet në Mat, gjithashtu kontakt me të prekurit në Krujë. 6 të infektuar të rinj në Kukës, janë kolegë të një efektivi policie në Kukës dhe vëllai i tij. Në burgun 313 në Tiranë, shënohen edhe 4 raste të reja duke e çuar në 18 numrin të të prekurve në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.

"Edhe pse ka një numër të lartë të rasteve sot, pjesa më e madhe janë asimptomatikë, pra pa shenja të sëmundjes dhe kryesisht janë kontakte të rasteve pozitive të mëparshme. Vijon hetimi epidemiologjik në vatrën e Krujës. Nga asnjë fasoneri tjetër nuk kemi deri më sot asnjë rast simptomatik. Kjo tregon qartë se në këtë përballje me koronavirusin, rolin kryesor e luan sjellja jonë në raport me rregullat", tha Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.

Aktualisht në vendin tonë 282 janë persona aktivë me COVID19, që do të thotë se numri i të shëruarve vijon që të jetë është më i lartë se i të prekurve.

 "Në shërbimin infektiv aktualisht janë 32 të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, nga të cilët 1 është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive nga të cilët 2 pacientë janë të intibuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë. Pra ka një numër të qëndrueshëm të të shtruarve në spitale dhe në terapinë intensive, u shpreh Qirjako.

Në Berat ka rezultuar me COVID-19 një vajzë 16-vjeçare e cila ndodhet e izoluar në banesën e saj, ndërsa ende nuk dihet si është infektuar. Ndërkohë në Lushnje, një 60-vjeçare gjithashtu nuk dihet nga është infektuar, ndërkohë që është transportuar në Spitalin Infektiv për shkak të gjendjes më të rënduar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë   289         raste
Shkodër 103       raste
Krujë     83           raste
Durrës  42           raste
Fier        37          raste      
Kurbin   31           raste
Korçë    19           raste
Elbasan 18           raste
Kukës    18           raste
Lezhë    14           raste
Has         14          raste
Kavajë  9              raste
Lushnje  7            raste
Vlorë     5              raste
Pukë    5               raste
Mirditë       5          raste
Rrogozhinë 4         raste
Tropojë 4               raste
Berat     3              raste
Mallakastër 1         rast
Mat          1             rast

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
Me COVID në fasonerinë e Krujës, historia e trishtë e 16-vjeçares me prindërit e divorcuar, shkoi te babai në Mat

Një histori prekëse është ajo e një 16-vjeçareje me prindërit e divorcuar, e cila nuk i shpëtoi dot vatrës më të rrezikshme të përhapjes së koronavirusit në fasonerinë e Krujës ku punonte, edhe pse u largua kilometra të tëra larg qytetit. Vajza udhëtoi nga Kruja drejt fshatit Batër e Vogël në Mat, për të shfrytëzuar këto ditë që fasoneria është mbyllur për të qëndruar pranë babait të saj.

Jetesa e vetme me nënën dhe vëllezërit e motrat në Krujë, pa babain që ndodhet në Mat, e kishte detyruar vajzën të punonte në fasonerinë e Krujës, së bashku me mamanë e saj.

Duke qenë se fasoneria ku punonte ishte mbyllur, prej 13 ditësh, 16-vjeçarja u zhvendos në Mat në fshatin Batër të Vogël për të takuar dhe qëndruar me të atin, kohë gjatë së cilës nëna në Krujë, u identifikua  pozitive me COVID dhe kërkoi që t'i bëhej testi menjëherë edhe së bijës.

Përgjigjja e analizës së kryer në laboratorin e ISHP-së i dha lajmin që nuk do donte ta merrte, se edhe ajo ishte pozitive me koronavirus. Fatmirësisht, vajza nuk ka shenja klinike të virusit, ndërsa mësohet se ajo është izoluar nga pjesa tjetër e familjes dhe do të jetë në monitorimin e mjekëve.  ISHP-ja u mori tamponin edhe babait, pjesëtarëve të tjerë të familjes dhe personave që 16-vjeçarja ka pasur kontakt në fshatin që ndodhet rreth 5 kilometra larg Burrelit.  

 

 
Ora 12:03
Rasti i ri në Berat, një vajzë 16-vjeçe: S'kam dalë, dy muaj më parë takova kushërinjtë nga Greqia

Rasti i ri i shënuar me koronavirus sot në Berat është një 16-vjeçare në fshatin Kostren. Vajza ka rezultuar pozitive pas testit që i është bërë. Ende nuk dihet si është infektuar. 16 vjecarja ka pasur temperaturë dhe kollë, ndërsa tani është izoluar në banesën e saj duke pasur kujdesin e mjekeve.

Të gjithë familjarëve të vajzës u është bërë tamponi, po ashtu edhe stafit mjekësor, ndërsa është dezinfektuar shtëpia dhe lagja . Nesër pritet që të dalin rezultatet e të gjithë pjesëtarëve të 16 vjeçares ku është paraqitur para tre ditësh me temperaturë dhe kollë në urgjencën e spitalit rajonal Berat , ku me pas iu mor tamponi dhe rezultoi me covid-19. Vajza ka treguar për stafin mjekësor se nuk ka dalë fare dhe nuk ka pasur kontakte.

"Prej dy muajsh kam takuar kushërinjtë që më kishin ardhur nga Greqia" është shprehur ajo. Aktualisht gjendja e vajzës është e mira.

Ora 11:50
2 të prekurit në Kurbin, kontakte të të infektuarve në fasonerinë e Krujës

Dy rastet e reja me COVID që janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kurbin janë kontakte të të infektuarve të mëparshëm. Infeksioni në këtë qytet u përhap si pasojë e fasonerisë së Krujës, që ishte vatra që e përhapi në Kurbin.  

Ora 11:43
E prekura në Lushnje një 60-vjeçare, s'dihet si u infektua, mbrëmë u transportua në Tiranë

Rasti i ri i konfirmuar me COVID në Lushnje është një 60-vjeçare nga lagja "18 Tetori". Nuk ka historik udhëtimi jashtë shtetit, ndërsa është transportuar mbrëmë nga Lushnja drejt Tiranes me simptoma që kanë rezultuar pozitive me koronavirus. Ky është rasti i shtatë në Lushnje ndërkohë vetëm një ka gjetur vdekjen, të tjerët janë rikuperuar.

Ora 08:29
Rritet numri i efektivëve të prekur në Kukës, polici infekton 5 kolegët dhe vëllanë

KUKËS- Rritet numri i policëve të infektuar në qytetin e Kukësit! Burime për Report Tv bëjnë me dije se kanë rezultuar pozitiv 5 efektivë policie, duke e çuar në total në 6 numrin e uniformave blu të prekura.

Mësohet se rastet e reja të konfirmuara gjatë 24 orëve të fundit, janë raste kontakti me kolegun e tyre, i cili i konfirmua një ditë më parëKy i fundit ka infektuar edhe vëllanë e tij. Të gjithë janë të vetëkarantinuar në shtëpi.

Deri më tani Kukësi numëron 18 raste, të konfirmuara edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ada: 25/04/2020 21:28

    Duhet te beni me shume testime

    Përgjigju
  • ilir: 25/04/2020 12:53

    mendoj qe duhet te kete dhe zona te kuqe si ne Itali, mesa shohim ne lajme, ku te bllokohet komplet levizja per mbi dy jave.

    Përgjigju
  • Nadja: 25/04/2020 11:20

    Duhet shkatkuar gjithe ekipi i higjenes qe ka detyre kontrollin e fasonerive. Ketu ne Kanada nuk te fal njeri te shkatkojne ne vend.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen