186 vite burg për 17 të pandehurit e dosjes 339/3, GJKKO iu konfiskon pasuri në vlerë 5 mln euro...nga resorti në Rinas te makinat luksoze

2 Shkurt 2021, 20:33

TIRANËNjë ditë pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dënuar me 186 vite burg 17 të pandehurit për dosjen 339/3 të laboratorit të drogës në Has, Report Tv mëson se është vendosur edhe konfiskimi i pasurive të tyre. Ndërkohë, ia vlen të theksohet se GJKKO ka aplikuar për herë të parë dënimin për pastrim parash, për Admir Hoxhën, Hekuran Hoxhën  dhe Shkëlqim Avdylin, pas kërkesës së SPAK.

Kjo pasuri kap vlerën e rreth 5 mln euro dhe do t’i kalojë në favor të shtetit. Bëhet fjalë për një resort 4 katësh në Rinas, truall ndërtimi dhe automjete luksoze. Më konkretisht i është konfiskuar resorti "Ador” me sipërfaqe 3320 m2, me katër kate bar restorant, parking dhe hotel, në Rinas Tiranë, në pronësi të Admir Hoxhës. Gjithashtu Hoxhës i është bllokuar edhe automjeti tip Audi me targë AA 485 SN.

Pasuritë e Admir Hoxhës dyshohet se janë vendosur nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal. Sipas prokurorisë Admir Hoxha së bashku me kushëririn e tij Hekuran Hoxha (lexo këtu) janë dy drejtuesit e grupit kriminal, dhe personat përgjegjës që kishin organizuar futjen në Shqipëri nga Kosova të 161 pakove me heroinë, që më pas përpunohej në laboratorin e Hasit që u zbulua në 19 tetor të vitit të kaluar (lexo këtu). Sasia e drogës, ishte fshehur në një shtëpi në një nga fshatrat e Hasit, dhe prej këndej po planifikohej të transportohej në Durrës, më pas në Itali. Admir Hoxha, që njihet si ideatori i krijimit të laboratorit të zbuluar në Brenog të Hasit bashkëpunonte me grupin e Avdylajve të Shijakut, por edhe të tjerë në Lezhë, Fier dhe Sarandë.

Mes të dënuarve janë vëllai ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Gjevi Ndoka i cili u dënua me 8.8 vite dhe Ronin e Shijakut, Hekuran Hoxhën ndaj të cilit u vendos 10 vite e 8 muaj burg. Ndërkohë janë dënuar dhe pjesëtarë të grupit Avdylaj të Shijakut, Altin Avdylaj dhe Shkëlqim Avdylaj me nga 6.8 vite dhe 4.8 vite burg. Me 12 vite burg është dënuar dhe Admir Hoxha i cili tashmë ndodhet ende në arrati.