2 herë brenda 10 ditësh, nxënësi hedh spraj piperi, helmohen mbi 40 gjimnazistë në Fier

4 Mars 2020, 16:22

FIER - Brenda 10 ditëve, janë helmuar për herë të dytë nxënësit dhe stafi pedagogjik në gjimnazin "Janaq Kilica" në qytetin e Fierit. Mbi 40 nxënës janë dërguar në urgjencën e spitalit të Fierit, pas problemeve me frymëmarrjen dhe djegie në lëkurë e sy. Një situatë e pazakontë kjo, e përsëritur, që sipas policisë, fsheh pas veprimin e paprecedentë të një nxënësi problematik të kësaj shkolle.

Nxënësi nga fshati Kurjan i cili është identifikuar si A.D. dhe është ndaluar nga blutë e Fierit, dyshohet të ketë hedhur në klasë dhe në ambientet e shkollës spraj piperi, spraj djegës që përgjithësisht përdoret nga forcat e rendit kundër tubimeve të dhunshme. 10 ditë më parë nxënësi është shprehur se e kishte hedhur sprajin për shaka, pa e ditur efektin që do të shkaktonte.Një pamje kaotike, me autoambulanca dhe makina private njëra pas tjetrës duke transportuar nxënës dhe mësues me probleme shëndetësore, marrje mendsh e djegieve të syve, por që fatmirësisht gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën.  Spitali është mbushur me nxënës të shumtë por edhe me familjarë të tyre, duke krijuar një situatë kaotike.Një situatë e ngjashme ndodhi 10 ditë më parë në të njëjtën shkollë, ku u tha paraprakisht se helmimi kishte ardhur nga një eksperiment kimie. Por edhe në këtë rast dyshohet që shkaktar të ketë qenë i njëjti nxënës i cili dyshohet të ketë hedhur "peper spraj". Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet.