2 portet turistike që do të ndërtohen me koncension 35 vjet në Sarandë dhe Kepin e Rodonit

23 Tetor 2019, 07:58

TIRANE - Dy porte të rëndësishme turistike pritet të ndërtohen në Shqipëri, njëri në qytetin e Sarandës, aktualisht në një port ekzistues në administrim shtetëror, dhe një port i ri pranë Kepit të Rodonit, të dy me koncension përmes partneritetit Publik-Privat, për një periudhë 35-vjeçare.

Porti turistik dhe i shërbimeve “Marina Limion”, do të ndërtohet në lagjen numër 4 në Sarandë, që aktualisht është në administrim të shtetit për anijet e peshkimit, jahte dhe riparimin e mjeteve të ujit.

Kjo është një foto aktuale e Portit, ku tashmë kanë fituar tenderin për ndërtimin e "Marina Limion" bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Kastrati” sh.a të biznesmenit Shefqet Kastrati dhe “Edil – AL – IT” sh.p.k.të biznesmenit Artan Dulaku, me vlerë investimi prej 1,374,984,000 Lekë, pa TVSH. Shpallja e fituesit është bërë në buletinin e Agjencisë së Prokurorimit Publik, ditën e djeshme.

Në fund të prillit 2018, qeveria i kaloi me qira portin e Limionit kompanisë "Concord Investment", të biznesmenit Dulaku kundrejt vlerës simbolike prej 1 euro për 20 vjet, me një investim në dy faza me një total prej 3.8 milionë euro. Por në atë kohë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj më korrik 2018 e pezulloi koncensionin. Shkak u bë ankesa e agjencive turistike  se koncensionari ‘Concord Investment’ vendosi një taksë 6 cent për çdo litër karburant që do të ngarkohej në jahte.

Sot, me një tjetër kompani, dhe në bashkëpunim me Shefqet Kastratin, biznesmeni Artan Dulaku e rimerr me koncension portin e Limionit për 35 vite.

"Marina Rodon" është projektuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit te Rodonit.

Fitues të tenderit në një garë pa konkurrentë, u shpall bashkimi i operatorëve “Praslin Investment” sh.p.k  dhe “R&T” sh.p.k, me aksionerë Roland Ziun dhe Renis Tershana. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit/PPP është 35 vjet, ndërsa dy operatorët e shpallur fitues, në një garë që nuk pati konkurrentë, janë angazhuar sipas dokumenteve që të investojnë 883 milionë lekë pa TVSH për këtë port.

Këto janë foto të vendndodhjes së portit në vijë ajrore, ndërsa kompanitë do të paraqesin planin e tyre konkret brenda 60 ditëve nga shpallja e tenderit.