20 -vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ceremoni në Prishtinë

12 Qershor 2019, 14:08 | Përditesimi: 12 Qershor 2019, 14:08

U mbajt sot ceremonia e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë kur morën pjesë edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeline Albright, ish-komandanti i NATO-s gjenerali Wesley Clark si dhe të tjera personalitete nga vendi dhe bota. Në ceremoni morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta.

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha se ndihet i nderuar që ka qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”. 

Gjatë ceremonisë presidenti Hashim Thaçi nderoi ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright dhe gjeneralin Wesley Clark me 'Çmimin e Lirisë'.

Albright, tha gjatë fjalës së saj se lufta në Kosovë ishte një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe të drejtave themelore të njeriut, ndërmjet tiranisë dhe demokracisë. Ajo deklaroi se në dy dekada qytetarët e Kosovës dëshmuan se janë të aftë të ndërtojnë paqen.

Ndërsa zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer deklaroi se Kosova duhet të punojë më shumë për dialogun me Serbinë deri në njohjen reciproke të të dy shteteve.

Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

b.ha./Shqiptarja.com